Qeveria i drejtohet Kuvendit: Gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjatet deri në 23 qershor
Qeveria kërkon të zgjatë gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor të këtij viti. Kryeministri Edi Rama pritet t’i drejtohet Parlamentit për të miratuar zgjatjen e gjendjes aktuale me masat shtrënguese për shkak të situatës me Covid19.
Edhe në komunikimin e sotëm interesimit të qytetarëve, Rama iu përgjigj se do të ketë zgjatje të afatit të gjendjes të fatkeqësisë natyrore. Qeveria me 24 mars shpalli për 1 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi.
“Referuar neneve 100 dhe 174, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “d”, të nenit 18, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që të propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr.243, datë 24.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, deri në datën 23.6.2020”, përcaktohet në draftin e e qeverisë.
NENET E KUSHTETUTES QE KUFIZOHEN NGA GJENDJA E JASHTEZAKONSHME
Kufizimet përfshijnë të drejtat për lëvizjen e lirë, për të punuar, të drejtat për të bërë grevë dhe të drejtat mbi pronën. Gjithashtu gjendja e katastrofës natyrore përfshin edhe detyrime mbi disa profesione për të punuar në domosdoshmëri të komunitetit.
Gjendja e re në të cilën u fut vendi i jep të drejtë autoriteteve të bëjnë kontrolle vetjake jashtë proceseve penale dhe gjithashtu të bëhen edhe kontrolle të banesave.
Gjithashtu kufizohet lëvizja e lirë e cila është parashikuar në nenin 38 tëKushtetutës “Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”.
Neni 37
1.Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
- Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
- Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
Neni 38
- Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
- Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.
Neni 41/pika 4
- Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Neni 49
1.Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
- Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
Neni 51
-
E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
-
Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.