Zhupa: Policia e Shtetit po dështon në garantimin e rendit dhe sigurisë në Sarandë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh  se ngjarjet e vazhdueshme kriminale janë bërë refren në qytetin e Sarandës.

Në një deklaratë nga qyteti bregdetar, Zhupa tha se që nga sezoni turistik, por dhe në muajt e parë të vjeshtës, vazhdojnë rrëmbimet, plagosjet, vrasjet, shpërthimet, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve të qytetit të Sarandës.

“Si deputete e Sarandës kam ndarë shpesh shqetësimin publik për këtë gjendje, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme nëpërmjet strukturave të Policisë së Shtetit të reagojë. Të vendosë nën kontroll dhe të monitorojë terrenin në qytetin e Sarandës”, tha Zhupa.

Deputetja e PD-së, nënvizoi se Policia e Shtetit duhet të reagojë për të parandaluar ngjarjet, për të qenë ajo pararendëse e asaj që do të ndodhë në Sarandë dhe jo për të numëruar viktimat mbasi ngjarja ka ndodhur.