Akuzohet për vdekjen e turistes angleze: Gjykata e Sarandës kalon për gjykim dosjen e Saimir Kushovës
Gjykata e Sarandës ka vendosur ta kalojë për gjykim dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, i cili akuzohet për vdekjen e turistes britanike Rebbeca Gannon, e cila humbi jetën tragjikisht tre vite më parë teksa bënte zhytje me ekspeditë në bregdetin shqiptar.
Konkretisht Kushova akuzohet për “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Vendimi për dërgimin e çështjes për gjykim u mor më datë 11 shtator, ndërsa më herët dosja ishte kthyer për plotësim të hetimeve, pasi ishin konstatuar mangësi.
Si ndodhi ngjarja?
Në 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës 8 të huaj bashkë me 3 shqiptarë ishin në anije. 29-vjeçarja, Rebecca Ganon kreu zhytje dhe arriti të dalë në sipërfaqe të detit dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.
Në kohën kur ndodhi aksidenti fatkeq, Kushova, drejtonte në Sarandë ekspeditën “Saranda Diving Center”, një ekspeditë private zhytësish, e angazhuar edhe në nisma sociale në qytet, kryesisht për pastrimin e detit. Fatkeqësisht Ganon ndërroi jetë teksa zhytej me ekspeditën e Kushovës.
Për ngjarjen Saimir Kushova u arrestua por u la i lirë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.
Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “garancia pasurore në vlerën 1.5 milionë lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo javë, ditën e hënë ora 13:00”. Por disa kohë më pas, 47-vjeçari filloi mos ta zbatonte masën e sigurisë çka detyroi Prokuroren Alba Dhima të kërkonte konfiskimin e shumës 1.5 milionë lekë të reja dhe kalimin e saj në favor të shtetit ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Fatmir Ndreu e deklaroi të ikur Saimir Kushovën në një seancë të posaçme.

