Sarandë, grabitësi vjedh një dyqan dhe tenton të përdhunojë shitësen 26-vjeçare
Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Jorgo Kumaraku alias Leonard Kumaraku, i cili nën kërcënimin e thikës i ka marrë një shumë prej 60 mijë lekë shitëses në një dyqan në lagjen nr. 2 të Sarandës.
Por, makthi për 26-vjeçaren s’ka përfunduar me kaq. Jorgo Kumaraku pasi i mori shumën e parave dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me shitësen.
26-vjeçarja raportohet se ka pësuar dëmtime fizike, ndërsa Jorgo Kumaraku është shpallur në kërkim nga blutë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. K., 48 vjeç, pasi ditën e djeshme, në një dyqan në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se, nën kërcënimin e një mjeti prerës (thike), ka vjedhur me dhunë një shumë prej 60.000 lekësh nga shitësja e dyqanit, 26 vjeçe, e cila si pasojë ka pësuar dëmtime fizike.
Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, informoi policia.