Bido në Konispol: Zëri i kësaj zone nuk duhet të mungojë në Parlament

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, zhvilloi një takim të rëndësishëm me banorët e Konispolit, në një atmosferë të mbushur me energji dhe pjesëmarrje të gjerë qytetare.

Gjatë fjalës së tij, Bido theksoi lidhjen e tij personale dhe politike me këtë zonë:
“Unë këtu vij me zemër, jam çdo vit dhe do të jem çdo vit. Kam 17 vjet që flas publikisht për Konispolin, për fshatrat e tij, për nevojën që kjo zonë të ketë më shumë vëmendje institucionale dhe mediatike.”

Në mesazhin e tij politik, Bido u ndal veçanërisht te rëndësia e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të zonës në Parlament:

“Nëse nuk zgjedhim ashtu siç duhet, ekziston risku të mbetemi pa një deputet të zonës. Vota për partitë e vogla, edhe kur përfaqësohen nga njerëz të ndershëm, është votë e çuar dëm, sepse sistemi nuk ua jep atyre mundësinë të fitojnë mandat. Dhe për pasojë, Konispoli mbetet pa zë, pa përfaqësim.”

Ai theksoi se njohja e territorit dhe e problematikave të tij është themeli i çdo angazhimi:

“Mund t’i rendis një më një 13 fshatrat e bashkisë së Konispolit, sepse i kam vizituar të gjitha. Mund të flas për rrugën e Janjarit që ka nisur të shtrohet, për potencialin turistik të Ninatit, për sfidat e Markatit, të Shalësit, të Dishatit e të Vërvës, për investimet që duhen në Mursi, Xarrë, Shendelli e Vrinë, për problemet me ujin në Çiflik dhe në Konispol. E di ku është ‘Bregu i Koçit’ dhe çfarë i mungon.”

Në fund, Bido bëri një thirrje të qartë:

“Të trokasim derë më derë në çdo fshat të bashkisë. T’i themi çdo qytetari se për të pasur zgjidhje, duhet më parë të kemi një zë që i njeh këto rrugë dhe këto halle. Dhe ky zë do të jetë aty, vetëm nëse vota nuk shpërdorohet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *