Promovohet Enciklopedia “Delvina dhe trevat e saj”
Nga Thoma Nika
Një tjetër botim plotëson kolanën e Enciklopedive për Delvinën. “ENCIKLOPEDIA E DELVINËS DHE TREVA ESAJ” erdhi tek lexuesi si sipërmarrje intelektuale e ekonomistit të.njohur delvinjot Ilirjan Haxhi.
Botimi më i ri, në format dhe me kritere enciklopedie, paraqet historinë me mbi 500 vite qytetari të Delvinës, pasurinë kulturore, arsimore, sportive dhe të zejtarisë, asetet e trashëgimisë materiale e të kulturës shpirtërore dhe traditat patriotike e liridashëse, përfaqësuar nga emra të skalitur në memorjen kolektive.
Enciklopedia, pak ditë pas shkuarjes te lexuesi i parë, është prezantuar në një auditor me intelektualë nga Delvina e Saranda, me prani të historianëve, krijuesve e studiuesve.
Rudina Liçaj, intelektuale me origjinë nga Delvina, tha në fjalën e saj se Enciklopedia u jep përgjigje disa pyetjeve që qëndrojnë pezull për brezin e ri dhe që janë: kush jemi, nga vijmë, ku jetojmë e ku shkojmë.
Historiani Halil Shabani ka çmuar shumë punën e autorit për të ardhur te kjo Enciklopedi, e cila pasuron botimet pararendëse të kësaj natyre për Delvinën, duke shtuar edhe rrethinat. Ai tha se kjo është risia që sjell ky botim, si çuarje më tej e punës së historianëve dhe kronikanëve të kohërave, që janë mbështetur te Kodikët e Delvinës.
Krujuesi Bekim Alizoti, që është edhe redaktor dhe korrektor i librit, tha se autori i kësaj Enciklopedie, motivin për ta shkruar atë, e mori nga dashuria për Delvinën, për historinë, për traditat dhe personalitetet që ky qytet me rrënjë i ka dhënë historisë dhe të sotmes në të gjitha fushat, tradita këto që duhet të shkojnë të shkruara te brezi i zhvillimeve moderne.
– Kemi në duar një libër që është një pasuri me shumë vlera brenda,- do të shprehej në promovim aktorja e njohur e Estradës së Sarandës, delvinjotja Pranvera Brinja.
Në fjalën e vet falenderuese për vlerësimet, autori Ilirjan Haxhi tha se i është dashur të punojë gjatë për librin dhe të kontaktojë shumë delvinjotë dhe njerëz nga të gjitha fshatrat e kësaj treve, të cilët u bënë mbështetja e tij me kujtime, përjetime, dokumentacion e fotografi. Ai tha se ka shumë rëndësi që flitet, por sodomos të shkruhet, se e shkruara mbetet.
Enciklopedia “Delvina dhe treva e saj”, përmban 300 artikuj dhe 178 personalitete të të gjitha fushave dhe nga e gjithë hapësira, që përfshin Delvinën qytet dhe 28 fshatra, nga Tatzati në Muzinë, që përbëjnë trevën e saj.