Resortet’ me 4-5 yje pa taksa deri në 2026! Komisioni i Ekonomisë pro zgjatjes së afatit! PD: Qokë oligarkëve! Klosi: Janë në treg 11 ‘brand name’

Deri në fund të vitit 2026, të gjitha resortet me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar do të bëjnë biznes pa taksa. Nisma ligjore e deputetit të PS, Blendi Klosi për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua nga Komisioni i Ekonomisë.

Për Klosin kjo zgjatje e afatit të këtij favorizimi zhvillon turizmin elitar pasi janë 11 brande të tjera globale që kanë aplikuar për investime në vend.

 

“Janë investime, hotele të reja që marrin përfitimin. Një investitor që lidhet me një brand, ai nuk mund të bëjë punime sipas qejfit, por çdo detaj e diskuton me brandin. Flasim për investime me minimumi 150-200 dhoma. Është vetëm një pjesë e sektorit që e përfiton, si mënyrë për të tërhequr sektorin drejt standardeve. Nga 11 subjekte që kanë përfituar këtë lehtësi, që janë investime të reja. Nga 11 që janë futur në Shqipëri, janë shtuar edhe 11 brande të tjera”, u shpreh Klosi.

Ndërsa për opozitën, ky favor është qoka e radhës për oligarkët në prag të zgjedhjeve.
“Ky është ligj special dhe me porosi, prek vetëm disa biznese. Ligji lidhet me qëllime elektorale. Ke një pakicë të favorizuar, dhe 95% e strukturave të tjera paguajnë të gjitha tatimet e ligjshme”, pohoi Tabaku.
“Është rasti tipik i qokës që i bëhet oligarkëve. Janë vetëm 11 hotele dhe shikoni kujt i bëhet qoka. Shikoni pronësinë e hotelit për të parë kujt i jepen këto para”, tha Edmond Spaho.
Por Klosi tha se përmes këtyre strukturave synohet turizmi i luksit.
“Është një politikë që synon që të thithë ajkën e brandeve botërore. Është një politikë për të zhvilluar turizmin e niveleve të larta, që synon rritjen e standardeve. Këto janë hotele të ndërtuara për turizmin e luksit”, tha Klosi.
Ndërsa deputeti i PS-së Erion Braçe ka kërkuar të vihet në kontroll turizmi i apartamenteve, që nuk i shërbejnë turizmit por tregtisë së pronave.
“Jam kundër turizmit me Vila për tu shitur, që funksionojnë vetëm 15 ditë. Jam kundër politikës së turizmit ndërto për të shitur. Turizmi i apartamenteve për të shitur duhet të vihet në kontroll, Spanja 100% tatim për të huajt që blejnë në Spanjë, mbrojmë blerësit vendas që duan të blejnë shtëpi”, deklaroi Braçe.

Përjashtimi i investimeve me 4-5 yje me kontratë me ‘brandet’ ndërkombëtare u bë në vitin 2019, dhe këtë status special e kanë marrë 11 investime që janë bërë prej atij viti. Po ashtu këto biznese nga taksa e ndërtesës, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kanë TVSH të reduktuar prej 6%.