Sarandë, nxiten prirjet fëminore për të bërë art

Nga Thoma Nika

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Sarandë çdo mbrëmje mbushet me tinguj këngësh e ritme vallesh. Janë dhjetëra fëmijë, nga 6 vjeç dhe të rinj gjimnazistë, që këtu gjejnë hapësirën dhe mundësinë, që, pa pagesë, të zhvillojnë dhuntinë dhe prirjen e tyre në disa fusha të artit dhe aftësive për të prekur skenat e talenteve.
Ismail Myrtaj, vetë është një klarinetist i përgatitur dhe diplomuar në Universitetin e Arteve, që tani drejton Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Sarandë.

Ai tregon se si ky institucion e kryen misionin e vet si Qendër Arti, duke krijuar çdo akses që fëmijët me prirje natyrale artistike, të mund t’i zhvillojnë ato falas. Ata ndjekin këtu kurset e ndryshme që funksionijnë: si ai i këngës, i instrumentave muzikorë, i valles popullore dhe polifonisë, i baletit, i pikturës etj.

Në rrethin e muzikës mësohet si të përforcmohet sa më mirë në skenën e koncerteve, apo si të bësh muzikë me instrumentin e flautit.

Atmosfera çdo mbrëmje është edhe më e ndezur në klasën e valles, ku instruktori Sinan Ahmeti bën korrigjimet e duhura gjatë interpretimit të valleve të reja.

Qendra Kulturore e Fëmijëve është një portë e hapur edhe për prindërit e fëmijëve që e frekuentojnë atë.
Një mirënjohje e madhe shkon edhe për këta prindër, të cilët janë të parët që u hapin rrugë dëshirave të Fëmijëve që duan të kultivojnë cilësi në fushën e artit.
Produkti i punës që bëhet mbrëmjeve në këtë Qendër, pothuaj gjatë gjithë javës, konkretizohet me pjesëmarrjen në konkurse e evente të ndryshme në skena e galeri arti në Sarandë, apo duke u përfshirë në kalendarin artistik në shkallë vendi.

Një ndër arritjet më të mira të kësaj Qendre Kulturore vlerësohet puna e bërë që Saranda, krahas orkestrës (bandës) frymore tradicionale, të ketë një formacion të tillë edhe të Fëmijëve, që është një përtëritje e traditës 60-vjeçare.