Vangjel Tavo raporton mbi situatën e deritanishme në zonën e Bunecit

Nga Vangjel Tavo

Ditën e 16 janarit 2025, më shumë se 15 mijë m/3 ujë u shkarkua nga ujëmbledhësi i hidrocentralit të fshatit Sasaj, në zonën e Bunecit për shkak të çarjes së digës.

E gjithë sasia e ujit mbushi përrenjtë dhe mori përpara gjithçka. Fatmirësisht nuk pati humbje jete por sasia e madhe e ujit shkaktoi dëme të mëdha në disa ndërtesa e biznese të asaj zone, bllokoi rrugën nacionale Sarandë-Himarë në zonën e Bunecit, për më shumë se dy orë, dëmtoi pemë dhe shkaktoi rrëshqitje gurësh të madhësive të ndryshme. Vërshimi i ujit vijoi edhe drejt plazhit të Bunecit, duke dëmtuar kabinën elektrike.

Në përgjigje të gjendjes së krijuar, Bashkia Himarë u ndodh menjëherë në vendin e ngjarjes për të monitoruar situatën e krijuar.

Në ndihmë për hapjen e rrugës shkuan edhe zjarrfikësit e Himarës, pasi një çift turistësh të huaj me dy fëmijë mbetën të bllokuar në këtë zonë.

U ngrit menjëherë komisioni i konstatimit dhe evidentimit të dëmeve dhe filloi puna duke inspektuar e parë nga afër të gjitha subjektet e dëmtuara.

Paralelisht, strukturat e Bashkisë Himarë me përfaqësues nga sektori i emergjencave, Drejtoria e Bujqësise, Pyjeve, Kullotave dhe Ujitjes, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, koordinuan punën në terren me mjete motorike për zhbllokimin e urave me qëllim largimin e tyre nga bizneset dhe banesat. Në një kohë të shkurtër u bë i mundur largimi i inerteve dhe mbeturinave të tjera në disa ura.

Nga konstatimi në vend i dëmeve rezultoi se 2 subjekte kanë demtime mbi 90%, 3 te tjera në mbi 30% por dhe subjektet e tjera kane dëme si në infrastrukturën e jashtme ashtu edhe në atë të brendeshme.

U mundësua ardhja e një mjeti (skrep) më të madh që të ndërhyet në hapjen e grykëderdhjes së lumit në det dhe devijimin e ujit në shtratin natyral.

Pavarësisht se parashikojmë se do të duhet kohë që gjendja t’i kthehet plotësisht normalitetit, Bashkia Himarë është e përkushtuar dhe do u gjendet pranë banorëve për të kthyer në gjendjen e mëparshme zonën e dëmtuar por dhe do të ofrojë ndihmesë brenda të gjitha mundësive që lejon ligji për dëmshpërblimet.

Situata vazhdon të jetë nën monitorim dhe Sektori i Emergjencave dhe Bashkia Himarë ndodhet në terren duke punuar për kthimin në normalitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *