Sarandë/ Motopeshkatoret në spirancë
Nga Thoma Nika
Moti me rreshje të shtuara dhe me kushte të papërshtatshme për peshkim e lundrim, ka lënë në spirancë ditën e sotme me dhjetëra peshkatore e varka të vogla në bregdetin e Sarandës.
Dallgëzimi vlerësohet në kufijtë e 3- 4 ballë, por sinoptikanët kanë paralajmëruar përkeqësim të mëtejshëm të motit në orët e pasdites. Ndalimi i lundrimit të mjeteve të peshkimit dhe mjeteve të vogla të lundrimit, është paralajmëruar qysh ditën e djeshme nga Kapiteneria e Portit të Sarandës.
Në një komunikim telefonik për Blu TV shefi i kësaj kapitenerie, Fotin Kona tha se megjithë që në rajonin e Sarandës nuk janë shënuar kushte ekstreme të përkeqësimit të lundrimit, për arësye sigurie, ditën e sotme është lejuar të funksionojë normalisht vetëm trageti i linjës Sarandë-Korfuz.
Një prej peshkatarëve më të vjetër të Sarandës, Pipi Stefani, tha për kamerën e Blu TV, se janë në pritje të përmirësimit të motit, për të dalë në gjueti.
Të gjitha mjetet e peshkimit e ato të lundrimit, i shihje sot ose të lidhura në kalatën buzë shetitores, ose në spirancë në radën e Gjirit të Sarandës.
https://www.facebook.com/share/v/18BY6qBmhn/?mibextid=wwXIfr