Persida Shkrepa – Nga Arkitekte në sipërmarrëse: Një Histori Suksesi e vajzës nga Saranda

E lindur në Sarandë, Persida Shkrepa ka dëshmuar se ëndrrat mund të bëhen realitet kur pasioni dhe përkushtimi kombinohen. Në vitin 2006, ajo la qytetin e saj bregdetar për të ndjekur studimet në Tiranë, ku bashkë me bashkëshortin e saj – dashurinë e jetës që prej rinisë – vendosën themelet e një jete të re.

Persida shkrepa

Pas përfundimit të studimeve në arkitekturë, Persida vendosi të ndërmarrë një hap të madh drejt pavarësisë profesionale. Ajo hapi studion e saj arkitekturore, duke filluar me projekte vilash që reflektojnë jo vetëm estetikë moderne, por edhe harmoni me natyrën dhe kulturën lokale. Falë vizionit të saj, ajo arriti të krijojë një emër të respektuar në fushën e arkitekturës.

Mbrëmjen e sotme, emisioni “Opinion” realizoi një reportazh ekskluziv në studion e saj. Emisioni solli në vëmendje jo vetëm suksesin e saj profesional, por edhe ndikimin që ajo ka në komunitet. Studioja e saj është një shembull i shkëlqyer i punës në ekip, ku të gjithë të punësuarit janë të rinj, të cilëve Persida u ka dhënë mundësi për të zhvilluar talentin e tyre.

Projektet e studios së Persida Shkrepa

Një nga pikat kulmore të karrierës së Persida Shkrepa ka qenë puna në fshatin piktoresk të Vunoit. Vila e parë e projektuar në vitin 2018 mbetet një prej projekteve që e ka shenjuar më së shumti si arkitekte. Duke ruajtur harmoninë mes arkitekturës tradicionale dhe asaj moderne, ajo krijoi një vilë që pasqyron shpirtin e Vunoit por që gjithashtu shquhet për elegancën dhe freskinë që sjell shekulli i 21-të. “Fryma aristokratike dhe historia që mbart çdo gur i Vunoit janë burim frymëzimi të pashtershëm,” shprehet Persida.

Një nga projektet më të veçanta të studios së saj është San Pietro Residences, ku minimalizmi dhe elementi natyror përthuren bukur. Përdorimi i materialeve të tilla si mikrocementi dhe kombinimi i drurit me elementët industrialë si betoni krijojnë një ambient komod dhe estetikisht të përkryer. “Detyra jonë është të sjellim bukuri dhe funksionalitet, duke respektuar gjithmonë vendndodhjen dhe natyrën përreth,” thotë ajo.

Portofoli i saj përmban gjithashtu projekte të dyqaneve prestigjioze në kryeqytet. Persida ndan se kjo ka qenë një sfidë, por gjithashtu një hap i madh profesional. “Projektimi i dyqaneve nuk konceptohej si një hapësirë multi-funksionale dhe komode. Sot, standardet që vendosin markat e mëdha ndërkombëtare janë burim frymëzimi dhe një shkollë e vërtetë,” shprehet ajo.

Një element që bie shpesh në sy në projektet e APPA Architects janë dritaret e mëdha. “Ato janë lidhja perfekte mes njeriut dhe natyrës,” pohon Persida Shkrepa. Duke lejuar ndriçimin natyral të depërtojë në ambientet e brendshme, krijohet një harmoni unike mes jashtës dhe brendshmërisë.

Projektet e Persida Shkrepës për të ardhmen

Duke ecur përpara me projekte rezidenciale dhe vila në komplekset më luksoze të Shqipërës, APPA Architects vazhdon të krijojë hapësira që reflektojnë standarde të larta dhe jetesë të mirë. “Puna jonë lidhet ngushtë me teknologjinë, materialet inteligjente dhe ndërtimet që ecin me kohën. Synimi ynë është të ofrojmë gjithmonë zgjidhjet më inovative dhe të personalizuara,” përfundon ajo.

Përtej arkitekturës, historia e Persidës është një testament i guximit për të ndjekur ëndrrat, pavarësisht sfidave. Ajo jo vetëm që ka ndërtuar një biznes të suksesshëm, por ka ndihmuar në promovimin e të rinjve dhe zhvillimin e komunitetit. Një grua nga Saranda që frymëzon brezat e ardhshëm për të mos hequr dorë nga aspiratat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *