EMRI/ Kërcënoi qytetarin me armë zjarri, pezullohet punonjësi i policisë në Sarandë
Një punonjës policie është pezulluar nga detyra në Sarandë dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.
Në video shfaqte inspektori Arben Islamaj, i angazhuar si trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Sarandë, duke mbajtur armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje me disa qytetarë në Ksamil.
”Në lidhje me një video të publikuar sot në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie, i angazhuar si trupë shërbimi roje në një pikë bllokimi automjetesh në Ksamil, duke mbajtur në dorë armën e shërbimit gjatë një mosmarrëveshjeje verbale me disa qytetarë, ju sqarojmë se:
Me publikimin e rastit, punonjësi i Policisë, inspektor A. I., me detyrë trupë shërbimi në Seksionin e Rendit në Komisariatin e Policisë Sarandë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.