Zbardhet misteri i shpërthimit ku vdiq biznesmeni në Sarandë, arrestohet 35-vjeçari
Policia e Sarandës ka zbardhur detaje nga shpërthimi që i mori jetën biznesmenit Armand Nelaj, pranë portit të qytetit.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë është arrestuar edhe një 35-vjeçar i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i biznesmenit. Dy personat më datë 25 qershor kanë tentuar t‘i vënën një sasi lënde plasëse një anijeje të ankoruar në portin e qytetit.
Duket se gjatë transportimit të lëndës plasëse, ajo ka shpërthyer aksidentalisht duke i marrë jetën 52-vjeçarit Nelaj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
“Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.07.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.
Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N”, thuhet në njoftimin e policisë.