Fredi Beleri del nga burgu përkohësisht: Po iki në Athinë sot…
Ashtu siç dhe ishte parashikuar në lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve, në orën 06.30 të mëngjesit të kësaj të hëne Alfred Beleri ka lënë qelinë në burgun e Fierit për t’u nisur më pas drejt Parlamentit Europian ku prezantohet si eurodeputet.
Ai është pritur nga një mjet me targa diplomatike greke, dhe nga familjarë e mbështetës të tij.
“Po iki drejt Athinës. Nesër do të jem në Strasburg”, tha Fredi Beleri nga Rinasi.
“Nesër ka votime dhe vendime të rëndësishme. Këtej e tutje besoj se do t’i kthehem normalitetit”, përfundoi ai.
Një ditë më parë, Drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut, ku është zgjedhur eurodeputet nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi.
Beleri kishte disa ditë që kishte kërkuar leje për të dalë nga qelia, por vetëm këtë të diel komisioni në Drejtorinë e Burgjeve është bindur për të miratuar kërkesën e tij.
Beleri ndodhet në qeli prej majit të vitit të shkuar, kur u arrestua për blerje votash.
Tashmë ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë humbi mandatin pas vendimit të KQZ dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 2 vite heqje lirie.
Nga qelia Beleri arriti që të merrte dhe mandatin si eurodeputet.