Problemet me pronat, kandidati i PS-së për Himarën: Deri në fund të tetorit qytetarët do të jenë pajisur me certifikatë pronësie
Vangjel Tavo, kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen në bashkinë e Himarë më 4 gusht, e ka konsideruar si sfidë kandidimin në zgjedhje, ndërsa premtoi se do të jetë aty për të zgjidhur problemet e qytetarëve.
Në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, i pyetur në lidhje me çështjen e pronave në Himarës, Tavo tha se problemi i pronave nuk është pjesë e fushatës, pasi është një problem i akumuluar prej vitesh, por shtoi ky problem po merr zgjidhje nga qeveria.
Sipas tij deri në fund të tetorit banorët në Himarë do të jenë të pajisur me certifikata pronësie.
”E kam konsideruar sfidë. Kam shumë vite që i kam shërbyer elektoratit dhe banorëve të qarkut të Gjirokastrës duke u marrë me problemet e tyre dhe zgjidhjen problemeve. Mendoj se problemet janë njëlloj kudo dhe në Himare.
Jam i bindur se mund t’ja dal për të trajtuar çdo shqetësim dhe problem që banorët e kësaj bashkie kanë pasur në të kaluarën apo që mund të lindë në të ardhmen. Do të ndjenë ndryshimin në të mirë të atij komuniteti të mrekullueshëm himariot.
Problemi i pronave është një çështje që nuk është pjesë e fushtës sime elektorale, por një problem i akumuluar prej më shumë se 30 vitesh, një problem i pazgjidhur që me ndërhyrjen dhe këmbënguljen e kryeministrit po merr zgjidhje.
Është drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje, brenda 2 muajsh u arritën të marrin rreth 1200 qytetar. Deri në fund të tetorit do të pajisen të gjithë qytetarët e Himarës me certifikatat e pronësisë. Kjo duhet të ishte zgjidhur që para 30 vitesh”,- tha Tavo.