Saranda, me turistë që nuk shpenzojnë
Sezoni turistik në nisje të muajit korrik, pritej që të hynte në fashën e lartë. Në fakt, plazhet janë plot me frekuentues, shetitorja e tejmbushur mbrëmjeve dhe rrugët me fluks të lartë automjetesh. Ndërkaq, hotelierët janë të befasuar nga mungesa e klientelës. Çfarë po ndodh?
Në vlerësimin e Arben Çipës, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, kjo përkthehet që turistët e kësaj vere të jenë orientuar në prenotimin e shtëpive të dyta dhe jo të hotelerisë.
Në panoramën që paraqet ecuria e sezonit turistik 2024, muajt maj e qershor vlerësohen me dyfishim të prurjes, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që pranohet se krahasimi zbehet në nisje të korrikut.
Larg pritshmërive vlerësohet sezoni i sivjetëm edhe kur bëhet fjalë për nivelin e të ardhurave të siguruara deri tani.
Kjo, sepse në përgjithësi, kjo fashë turistësh që ka ardhur, shihet të shpenzojë pak.
Gjithësesi, korriku është ende në fillim dhe gushti është i gjithi përpara.
Të gjithë subjektet që operojnë në fushë të turizmit, janë me shpresën që situata të ndryshojë, deri në përmbysje për mirë të treguesve. Sepse e pritshme është që kjo fashë, e turizmit intensiv të Sarandës, të dominohet nga moshat e reja, të cilët vijnë në numra shumë më të lartë dhe shpenzojnë pa kursim për pushime sa më cilësore.
Saranda dhe Ksamili janë destinacione me ofertë më cilësore dhe të diversifikuar, për pushimet e kësaj vere.