Tjetër aksident në ndërtim/ Punëtori 62- vjeçar bie nga lartësia, në koma! Me helikopter nga Saranda sillet në Tiranë

Një 62- vjecar është plagosur rëndë pasi ka rënë nga lartësia teksa punonte në një kantier ndërtimi në qytetin e Sarandës.

Servet Ziflaj, 62- vjeç është nisur paraditen e sotme me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Burime spitalore bëjnë me dije se ai është paraqitur ditën e djeshme (1 qershor) në spitalin e Sarandës, pasi kishte rënë nga një lartësi  në kantierin ku punonte.

Fillimisht ai ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por ditën e sotme ka rënë në gjendje koma. Për shkak të gjendjes së rëndë është transportuar me helikopter drejt Tiranës.

Policia njofton se punëtori është rrëzuar aksidentalisht, pasi ka qenë duke lyer në një pallat që është në ndërtim.

“Sot, në lagjen “Nr. 1”, dyshohet se gjatë kryerjes së disa punimeve (lyerje) në katin e parë të një pallati, është rrëzuar aksidentalisht shtetasi S. Z., 62 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thotë policia.