Nga Turqia në Sarandë, turku që argëton turistët me papagaj
Mënyrave argëtuese që ofrohen për vendas, vizitorë e pushues të huaj në Sarandë, këtë verë u është shtuar edhe oferta speciale për të pozuar me dy papagaj lozanjarë e plot ngjyra.
Personazhi që e ofron këtë kontakt me papagajt e bukur, është edhe vetë tërheqës, për nga veshja e tij e veçantë dhe gati e mistershme.
Husein Marangoz, i vetëquajtur Kardash, na tregon se ka ardhur në
Sarandë me këtë ofertë argëtuese nga Turqia dhe pas udhëtimesh të ngjashme në shumë vende të botës. Papagajtë tërheqës, me pendët e tyre plot ngjyra të ndezura, ia ka ofruar një subjekt privat i këtushëm dhe Kardash i ka trajnuar mjeshtërisht, siç di ai.
I ka mësuar të luajnë tërë naze me këdo që u afrohet në plazhe apo shetitore, për të bërë një foto, apo për t’i mbajtur pak çaste në dorën apo në supin e tyre.
Protagonisti i këtij lloji të veçantë argëtimi, thotë se i vjen keq që nuk ka mundur të mësojë edhe gjuhën shqipe, e cila mund të ishte pjesë e komunikimit të tij në 40 gjuhë të tjera të botës.
Megjithëkëtë, thotë se i pëlqen shumë Saranda dhe njerëzit, me të cilët, ose flet në gjuhën e trupit, ose i ndihmuar nga dy ndihmëset e tij, njera nga Saranda e tjetra nga Vlora
Pjese e spektakleve të tij, ka bërë edhe tri makina antike, nga bordi i të cilave ai dhe vajzat bashkëpunëtore, performojnë me papagajtë që ngulin kthetrat si pasagjerë të rrallë, si dhe me veshjet e tyre atipike.
Kardash ndalet dhe shpjegon se çfarë kuptimi e mesazhi jep e tërë veshja e tij, e bërë nga vetë ai e sidomos simbolika e kapeles që vendos në kokë.
Projektet shkojnë përtej ofertës së deritanishme për Sarandën e kësaj vere, duke thënë se janë duke u organizuar për të ngritur një park kafshësh të egra, me majmun, ari etj., në një prej plazheve privatë, për t’u dhënë një kënaqësi më shumë pranë detit, fëmijëve, ndërkohë që shijojnë detin.
Kardash e shton arsenalin e mjeteve, me të cilat argëton fëmijë e të rritur, edhe me një element më shumë. Ato janë tollumbacet e një lloji të veçantë. Ato duken si fije shumëngjyrëshe, që zënë vend në brezin e meshintë. Por kur dalin që andej e mbushen me ajër, ato kthehen në tuba ajri shumëngjyrësh. Në duart dhe me fantazinë kreative të Kardash, tollumbacet marrin forma me imazhe kafshësh, shpendësh e zemrash, që i bën dhuratë për fëmijë e të rritur pranë çadrës së plazhit, pranë valës së ujit apo në shetitoren e Sarandës së kësaj vere.