Bashkia premton masa, Saranda “një kantier ndërtimi” në këtë sezon
Saranda është kthyer në një kantier ndërtimi, thuajse në të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.
Dhe kjo situatë, në një kohë kur sezoni ka filluar, edhe pse ceremonia zyrtare ende nuk është bërë, duket se ka krijuar problematikat e para me turistët vendas dhe të huaj që has në qytet.
Për të mos folur për gjendjen e trafikut rrugor apo parkimit.
Kjo problematikë është shqetësim edhe për bizneset e Sarandës, të cilët shpresojnë që punimet të ndërpriten dhe të rifillojnë pas sezonit të lartë.
Me sa duket, këtë skemë pritet të zbatojë edhe bashkia për të ndihmuar sezonin veror.
Saranda këtë sezon pret një numër akoma më të lartë turistësh, krahasuar me sezonin e kaluar dhe ky fluks, duket se ka nevojë për një administrim akoma më të mirë nga ana e pushtetit lokal për të mos zhgënjyer ata që do të vijnë për herë të parë në këtë qytet-simbol të turizmit bregdetar shqiptar.