Prezantimi i librit nis me emigrantët
Nga Thoma Nika
Libri im me publicistikë “TË PANGJASHMIT”, u prezantua më 14 prill 2024, në një auditor me bashkatdhetarët tanë, në kryeqytetin helen, Athinë.
Më dha emocion të veçantë prezantimi i librit mes tyre, pasi ndjeshmëritë e emigrantëve për atë që ndodh në vendin e origjinës, janë shumë herë më të larta. Për shkak të largësive dhe pritshmërive, prej mallit dhe nostalgjisë.
U tregova atyre se me librin “Të pangjashmit” vijnë në një botim të vetëm njerëz dhe histori që ata ndoshta i kanë hasur në faqet e gazetave shqiptare në vite, i mbajnë në memorje nga koha kur i hasnin ata njerëz në rrugët e qytetit. Por jeta rrjedh dhe të gjitha rrugët të çojnë në të tjerë njerëz të përditshmërisë së sotme. Në dukje të zakonshëm, të pabujë, por të pazakonshëm e të pangjashëm me të tjerë, në atë që bëjnë dhe në mënyrën si e marrin dhe e përballojnë jetën.
U thash se në libër lëviz jeta, lëvizin njerëzit e asaj hapësire që quhet Sarandë, portrete dhe histori që ngacmojnë dhe frymëzojnë.
Prof. Josif Papagjoni, autor i parathënies së librit, bëri vlerësim për mënyrën si zbulohen dhe portretizohen me dashuri, detaj dhe vërtetësi, portrete njerëzish, që i mbeten historisë dhe të sotmes së Sarandës, si një mozaik vlerash.
Koço Kosta, si koleg i shumë viteve punë në gazetari së bashku dhe në cilësinë e redaktorit të librit, u ndal në stilin e të shkruarit, në rendjen pas detajit e deri në titujt pikantë, që të përgatisin për çfarë do të lexosh.
Disa prej personazheve të Librit ishin të pranishëm në sallë dhe transmetuan emocion me fjalët e tyre.
Asistoi në promovim edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë, zonja Luela Hajdaraga, e cila është bërë e njohur dhe e respektuar ndër emigrantët tanë, pasi me emrin e saj ata lidhin “shkuljen” me rrënjë të kurrupsionit, si dhe shtimin dukshëm të valencës së shqiptarëve në botën greke, duke shkuar drejt barazisë me vendasit.
Promovimit i shtoi vlera moderimi ekspresiv dhe detajist i gazetarit të mirënjohur Defrim Methasani.
Përjetova një ditë të veçantë.
Jam falenderues për të gjithë!