Para për bukuri, por edhe para për parkingje
Nga Josif Papagjoni
…Rruga pranë Bashkisë së qytetit, ku dikur kam kaluar fëmijërinë në Sarandë, po ndryshon. Ende punohet, ka disa muaj që ajo ka nisur. Stoqet e mozaikëve prej guri rrinë anash si ushtarë të bindur beteje.
Jo vetëm rruga e fëmijërisë sime, por edhe qendra e dikurshme, që ishte e shtruar me kalldrëm, aty ku derdhej vargani i makinave për daljen jashtë, po ndryshon njësoj. Një strukturë estetike duket se po formësohet në mesin e saj. Ky shesh, që dikur ishte “agora” e qytetit ku tuboheshin njerëzit, bëheshin mitingje, organizoheshin koncerte, duket se po ndryshon funksion. Funksionet e njëhershme i ka marrë shetitorja buzë detit. Them se është një zgjidhje e pranueshme. Ai shesh i nostalgjive tona u tkurr e u tkurr, gjersa u katandis, si thotë populli, “kokoshi një thelë”. Dhe nostalgjitë tona sikur e marrin shigjetën mu në gjoks. Brezat njerëzor ndryshojnë qytetet. Edhe Saranda ka ndryshuar…
Po rikthehem te “rruga ime”. Ajo, nga rrugë makinash, është konceptuar tashmë si rrugë shëtitëse për këmbësorë, ose e thënë me fjalësin e fundit (që e kemi ca si shumë në qejf), po bëhet “PEDONALE”. Nuk ka më trotuare të ngritura, as asfalt, por e gjitha është si mozaik i kalldremtë dhe e rrafshët sepse, thuhet, nuk do të ketë makina.
Shtrimi me mozaikë guri bardh e kafe ka një motiv të njohur, që të sjell ndërmend valën e detit, por edhe pemën, ndoshta palmën si bima e parapëlqyer e qytetit të ngrohtë jugor. Ka qenë një motiv i piktorit të njohur të qytetit Lefter Çeko dikur në shetitore. Besoj se do të jetë diçka e hijshme. Një qëndistari bukurie më shumë për ta bërë vizualisht edhe më grishës qytetin. Krijohet një “ruzare”, rruga e re e veshur me gurë dhe rruga e dytë me kalldrëm, të cilat të gjitha sikur bashkohen buzë detit te shëtitorja e re si ajo delta e lumit. Është një petk a vel i ri që i jep ca më shumë hir e sqimë qytetit. Kësisoj rritet kapaciteti, thënë më drejt estetika urbane e tij. Syri yt këndellet.
Me siguri nesër do të shtohen tavolinat dhe shërbimet, barkafetë dhe restorantet, do të lehtësohet edhe më shumë dyndja, një tjetër mjedis do krijohet, ku në mesditë mund të gjesh më shumë hije…
Mendimi i parë: shumë mirë që bashkia investon për të përmirësuar infrastukturën rrugore me hapjen e kanaleve të reja dhe tubat e shumtë për rrjete të ndryshme: elektrike, telefonike, interneti etj; shumë mirë që ajo e rimodelon funksionin e dikurshëm urban si rrugë makinash duke e kthyer në rrugë shëtitëse për qytetarët. Unë kam parasysh fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve ditëve të verës e më tutje. Këmba e tyre do të shkel tanimë mbi një tjetër reljev, do të kënaqet më shumë. Ja sikur i dëgjoj ata që i gëzohen shëtitjes, të huaj a vendas, dhe thonë: “Ah sa mirë u bë, ka lezet!”
Po, po, ashtu do të thonë, s’ka dyshim, mendoj po njësoj dhe unë. Sepse ky është një investim serioz në dobi të mirëqenies dhe bukurisë së qytetit. Por… por… një pyetje më bren tinëz: “Po gjithë ato makina që parkoheshin dikur aty, ku do të struken, ku do gjejnë një copëz vend a një qoshe dosido, pa i gjobitur policia?!” Dhe këtu vijmë te nevoja ulëritëse e qytetit për parkim publik. Ky është apeli i gjithëmbarshëm i çdo njeriu që vjen në Sarandë, qoftë dhe disa orë a një ditë: “Ku do ta fus makinën time të pi rehat një kafe buzë detit a të ha një drekë i qetë me familjen time, lëre pastaj të hidhem në det dhe të lahem disa orë? Ku?” Sa vështirë është bërë në Sarandë të gjesh parkim, shumë më vështirë se në Tiranë e në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Një vend aman, njëckë të vetëm.
Duhet t’i biesh e stërbiesh kryq e tërthor qytetit me shpresë e ankth se diku, ja… të doli një qoshe! E pra, përpara se të mendohet për estetikën, më së pari duhet të mendohet për plotësimin dhe përmirësimin e funksioneve urbane jetike të qytetit. Parkimi është sot kryesori i kryesorëve. Ky nuk është meraku im si sarandiot, që vij herë pas here në qytetin e lindjes dhe e provoj në kurriz mungesën e parkimit. Ky është një merak tërëqytetar. Duhet të bëhet meraku kryesor edhe i bashkisë dhe kryebashkiakut. Për më shumë akoma, një merak edhe i qeverisë Rama, i ministres së turizmit dhe i vetë kryeministrit të vendit, i cili duket se i ndjek vetë kësi gjërash dhe i ka hobi të tijat.
Jo shumë muaj më parë, në pikun e sezonit të verës, pata botuar një shkrim në formë letre dërguar kryeministrit, ku i thoshja se Saranda, nëse duhet të jetë një qytet parësor turistik i vendit që grumbullon të ardhura, më së pari i duhet zgjidhja e parkingut publik. Pra, ajo kërkon një zgjidhje radikale, jo ca qepje-shqepje tutje tëhu. Dhe kjo mund të vijë vetëm nga fondet qeveritare; bashkia s’ka këllqe ta përballojë këtë investim.
Per vetë reljevin e pjerrët që Saranda ka, sikundër rrugët e ngushta me godinat e ngjeshura brinjë më brinjë e pa parking, hapësirat për këto parkime janë tejet të limituara, në kufijtë e të pamundurës. Atëhere çfarë zgjidhje ka? Po të pyesin qytetarët, të gjithë ta kthejnë aty për aty: “Le të bëhet një parking nëntokësor te lulishtja qendrore me tre, katër kate”. Kjo do ta lehtësonte disi situatën e shkuar në zgrip të katastrofës. Turisti a vizitori vendas që vjen në qytet, ka mundësinë ta parkojë pranë detit makinën e vet dhe të shijojë bregdetin, baret dhe restorantet e tij; bën qejf, mbaron punë dhe ikën. Kjo e lehtëson ndërkohë edhe parkingun për qindra e mijëra makina të tjera që stërmundohen të gjejnë pak vend në rrugët e sipërme të qytetit, hyp e zbrit me këmbë pjerrinave, një lodhje dhe sfili e vërtetë. Parkinge mund të konceptohen edhe me godina të reja enkas për këtë funksion, ose në sheshe të lira (më e vështirë kjo), ose me shpronësime dhe prishje. Afërmendsh që është kosto.
Dhe të tilla kosto rëndojnë jo pak, prandaj duhet një gërshetim i buxheteve midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor. Tek po vija në qytet, në rrugën zbritëse, ja tek po hidhte shtat një godinë e re buzë rrugës. U habita. Shqyeva sytë të shihja parkingun e saj të nëndheshëm? Bah, me kë e ke?! Nuk kishte. Pra, vazhdon loja e verbërisë sonë, vallja e rëndë e fitimit, teksa asnjë pallat i ri nuk duhet lejuar assesi pa pasur më parë parkingun nëntokësor të klientëve të vet (nëse është ndërtim turistik) ose të banorëve të rinj të saj (nëse është godinë banimi).
Saranda kërkon një dorë të hekurt, të pamëshirshme, një asi dore që çdokush kërkon ta korruptojë, sarandiot qoftë, nga Tirana qoftë a nga qarqert e pushtetit qoftë, të ketë trimërinë t’ia vesh fytyrës dhe t’i thotë: Ik, qërrohu prej këndej!
Nje dorë si e urbanistit austriak i Sarandës, i mbiquajtur Kaizer, diku ne fillimvitet ’20, që e rrahën gjer në vdekje por ai nuk e dha dhe nuk e dha lejen që një i kamur i asaj kohe të ndërtonte vilën e tij buzë detit në Sarandë. Jo, i tha ai, këtu do bëhet shetitorja e qytetit dhe pikë. Dhe ia dorëzoi çelsat kryetarit të bashkisë, iku, u kthye në vendin e tij, Austri…. Ku t’i gjejmë sot këto shëmbëlltyra, ku?
Ka ardhur koha që duhet t’i kemi. Sot duhen krijuar me patjetër kushtet për zgjidhjen e problemit të agravuar të parkingut publik e privat. Këtu fillon ABC-ja urbanistike e përmirësimeve të pritshme të Sarandës për flukset turistike që pritet të shtohen e shumohen çdo vit e më tej. Kapica me para që vjen nga turizmi ose do të rritet më tej, ose do të pakohet, nëse ky problem mbetet udhëve dhe pritshmërive. Jo fjalë të bukura dhe gjithfarë enfazash nga fytyra ministrore e më tej, por para´.
Shkurt e qartë: zbukurimet dhe sistemimet e rrugëve në qytetin tim të lindjes Sarandë janë vërtet gjë e bukur, të mirëpritura; ato flasin për arritje, vizion, estetikë e kënaqësi, veçse bri kësaj a në krye të saj duhet menduar sa më parë për parkimin e qindra e mijëra makinave, që do të mbushin rrugët e qytetit, do pushtojnë çdo qoshe, që do të hipin mbi trotuare e do të marrin gjoba, që krijojnë një ankth dhe stres të pafund si për vizitorët, turistët, shoferët, po aq dhe për qytetarët.
Dhe shija e atyre pak ditë pushimeve që ti dëshiron t’i kalosh në Sarandë, të del për hundësh. Ja ku është një shembull bri nesh, Gjirokastra e gurit.
U gërmua, u betonua dhe u krijua një parking aty në sheshin e Çerçiz Topullit. Bukuri. Por Saranda e ka shumë më urgjente këtë gjë, andaj lobingjet e saj të munguara duhet të gjëmojnë në veshët e qeverisë, minstrisë së turizmit, kryeministrit, për t’i dhënë atë që ky qytet e meriton nga vetë Zoti…