Rrezikon mbi 2 vite burg, Fredi Beleri para gjykatës: Mos merrni parasysh përfundimet e SPAK! Akuzat janë qesharake

Gjykata e Posaçme është tërhequr për të marrë vendimin për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Himarës, i cili ndodhet në burg nën akuzën e blerjes së votave.

 

Beleri lexoi deklaratën para shpalljes së vendimit, ku u shpreh se ky hetim është politik.

 

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë gjatë gjyqit, ky është presion. Ky hetim dhe këto akuza janë sajesa qesharake. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh, dosja nuk ka fakte ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e Prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë.

Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet.

 

Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë.

Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”.

Replikat gjatë seancës dhe replikat mes Belerit dhe gjyqtarit Çela

Beleri: Akuza nuk qëndron dhe SPAK duhet të tërheqë dosjen penale.

Çela: Mos anatemoni gjyqtarët, nuk keni asnjë punë me trupën gjykuese, nëse nuk bie dakord mund të apeloni

Beleri: U përdorën thëniet e një dëshmitari i dënuar për mashtrim. Kjo çështja ka qenë dhe është politike. U shkel prezumimi i pafajësisë. Nuk ka pasur një proces të rregullt gjyqësor. U ndodha para një diskriminimi.

Qëllimi i arrestimit dhe mbajtja në burg, është që Rama të mbajë zgjedhje të reja në Himarë. Herët ose vonë do ta gjej drejtësinë. Gjyqtarë sot duhet t’i thoni jo naciononalizmit të sëmurë.

 

Për Belerin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Fredi Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK ka kërkuar dy vite burgim, të cilat i janë konvertuar në 4 vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.

 

Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.