Personazh 2024: Edhe i verbër, bën jetë digitale
Nga Thoma Nika
Aleksandër Lala është modeli i njeriiut që nuk i nënshtrohen fatit.
I lindur në Sarandë me probleme serioze në vështrim, ai mund të dorëzohej dhe të pajtohej me statusin e njeriut me aftësi të kufizuara e të lidhej ngushtësisht me librezën e trajtimit si invalid.
Por me Sandrin nuk mund të ndodhte kështu. E vërteta është se gjatë gjithë kohës ai ka nevojë për shoqërues, pasi nuk e jep veten dhe nuk përdor shkopin e bardhë.
“Shkopi” ku ai e ka ndarë mendjen të mbështetet fort, është teknologjia dixhitale. Me ato mundësi minimale që kanë sytë e tij, ai tregon se është bërë një përdorues i kompjuterit, i aplikacioneve në telefonin celular, në ipad dhe i pajisjeve të tjera digitale. Aleksandri na tregon modestisht se ditës dhe jetës së tij i mungon drita e syve, por jo aftësitë për të qenë i integruar e i përditësuar dhe me aftësi të pakufizuara për të mos mbetur prapa ritmit të përditshmërisë.
Sandri është pjesë e komunitetit dhe shoqatës së të verbërve në Sarandë. Dhe është vletësues kur flet për njerëzit që ka rreth e rreth dhe që e ndihmojnë, siç edhe ai i ndihmon me shprehitë dixhitale që ka fituar, si një njeri i vullnetshëm.
Aftesia e tij në komunikimin dixhital, ai e ka kthyer në mundësi për të bërë miq të shumtë e bashkëpunues, në Shqipëri dhe Kosovë.
Sandri lexon shumë, është çdo ditë i përditësuar në nivele befasuese. Objektet që e rrethojnë i vizualizon me mangësi e me vështirësi. Por ai nuk ka asnjë vështirësi për të qenë model në
komunikim, i përkushtuar në familje dhe i përfshirë në nisma e lëvizje sociale që përmirësojnë jetën.
Nga një njeri sfidues i verbërisë së lindur, si Aleksandër Lala, na vjen mesazhi i përballimit të jetës ashtu siç të vjen.