Kërkon leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, Apeli i GJKKO rrëzon Fredi Belerin
Fredi Beleri nuk do të betohet për të marrë detyrën e kryebashkiakut të Himarës. Apeli i GJKKO-së, në një vendim të marrë sot, 29 janar, nuk i dha leje Belerit për t’u betuar, duke rrëzuar kërkesën e tij. Avokati i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës paralajmëroi që do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë.
“Duhej bërë betimi, nuk e lënë të bëjë betimin. Ne do ankohemi në Gjykatën e Lartë. Është vendim me elementë të frymës fashiste. Vendimi i shkallës së parë stimulon veprimet e qeverisë për shpalljen gjendjes së jashtëzakonshme në Himarë. Nuk është e vërtetë. Gjykata e la në fuqi pa ndryshuar asnjë pjesë të asaj vendimi. Nuk na u dha arsyetimi, do ta marr tani. Jemi në fund të procesit, e njëjta treshe e kanë marrë rrugë për ta dënuar dhe marrjen e lejes së posaçme. Në kundërshtim edhe me raste të tjera. E duan me çdo kusht bashkinë e Himarës”, tha avokati.
Belerit i janë rrëzuar disa kërkesa për t’u betuar. Fillimisht kërkesa e tij ka kaluar nga Gjykata e Posaçme në atë të Durrësit. Pasi dy institucionet shpallën moskompetencë për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit, Gjykata e Lartë vendosi që këtë vendim duhet ta marrë GJKKO. Kjo e fundit nuk i dha leje Belerit për t’u betuar, vendim që u la sot në fuqi edhe nga Apeli i GJKKO-së.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Prej kohësh, kjo çështje është bërë temë kryesore diskutimi edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.