Deputetja e Sarandës kujton viktimat e Holokaustit dhe genocidin ndaj çamëve
Nga Ina Zhupa
Sot, më 27 janar kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Është kjo një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për viktimat e asaj zezone të pashembullt dhe kujtimin e jetëve të shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.
Ne si shqiptarë, në mbarë trojet tona, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebre dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fëmijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.
Mirëpo viti 1944 shënoi një tragjedi të pashembullt edhe për vëllezërit e motrat tona në Çamëri. Terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1944.
Për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.
Ne sot nderojmë edhe kujtimin e atyre qindra pleqve e plakave, grave e fëmijëve që nuk i qëndruan dot dimrit të egër të vitit 1944-1945, skamjes, sëmundjeve dhe vështirësive të tmerrshme të atyre ditëve dhe që sot prehen në varrezat e Kllogjerit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Shoah!
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë çame!
*Dokumenta nga arkiva amerikane për tragjedinë çame ku flitet për 25.000 familje refugjate dhe 10000 fëmijë.