Kokëdhima propozon ditë zie për viktimat nga Covid-19
Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, propozoi sot që Shqipëria të mbajë një ditë zie për të nderuar viktimat e COVID-19 në Shqipëri dhe në vendet ku jetonin.
Përmes një shtatusi në ‘Facebook’, Kokëdhima u shpreh se shumica prej tyre janë përcjellë për në banesën e fundit nga një grusht familjarësh ose në vetmi, megjithëse do të donim shumë t’u jepnim nderimet e duhura viktimave të pandemisë, por kushtet dhe masat për distancimin fizik nuk e lejojnë.
Ndaj në emër të partisë ‘Zgjidhja’ ai propozoi që në nderim të të gjitha viktimave, Shqipëria të ulë flamujt në gjysmështizë. Ngushëllime familjeve të viktimave!
“Pandemia u ka marrë jetën deri më sot 23 shtetasve shqiptarë në Shqipëri. Nga Italia erdhën në Shqipëri 12 arkëmorte, me trupa të pajetë të shqiptarëve, që humbën betejën me COVID-19. Në SHBA deri më sot janë 9 shqiptarë të vdekur. Shumica prej tyre janë përcjellë për në banesën e fundit nga një grusht familjarësh ose në vetmi.
Do të donim shumë t’u jepnim nderimet e duhura viktimave të pandemisë, por kushtet dhe masat për distancimin fizik nuk e lejojnë. Ndaj në emër të partisë ‘Zgjidhja’ propozoj që në nderim të të gjitha viktimave, Shqipëria të ulë flamujt në gjysmështizë. Ngushëllime familjeve të viktimave!”, shkruan Kokëdhima.