Adriatik Lapaj: Linçimet më forcojnë më shumë
Nga arsyet pse duhet të votohet, tek linçimi i figurës së tij dhe pse nuk mbështet protestën e përditshme poshtë banesës së Sali Berishës, Adriatik Lapaj, është rrëfyer në Ditarin me Bruna Çifligun.
Themeluesi i “Lëvizjes Shqipëria Bëhet” ka theksuar se një ndër arsyet pse duhet të votohet, është ajo që tashmë janë pjekur kushtet dhe njerëzit janë ndërgjegjësuar.
“Kjo që kam zgjedhur është rrugë e vështirë, njerëzit po reflektojnë, se janë pjekur kushtet. Tani është koha e duhur. Ajo që besoj fort është që tashmë është fundi i tranzicionit. Ne po bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur.
Nëse shqiptarët kanë frikë të ikin nga mjerimi ku ndodhen le të rrinë me këta nëse ndihen mirë që u ikin fëmijët në emigrim në 2023 le të rrinë me këta. Nëse mes modelit të makutërve që vjedhin edhe faturat e biftekëve. Nëse zgjedhin biftekun e këtyre dhe qoftet e ditës së zgjedhjeve le t’i zgjedhin. Unë po bëj detyrën ndaj atdheut tim, vajzës sime dhe shpirtit tim”.
Sipas tij pushtetet rrëzohen vetëm me moral dhe jo me para, apo me të fortë.
“Unë nuk e thyej dot Ramën, ai është mbret, e thyen populli. Njerëzit kanë kujtesë, pushtetet rrëzohen me moral, as me para, as me strukturë, as me logjistikë, as me të fortë me asgjë tjetër përveçse me moral. Nuk vidhet një popull që e ndan mendjen nuk ka para që blen vullnetin e popullit. Fati i keq i shqiptarëve që dy plebishitet kanë qenë të dështuara”.
Lapaj përjashton koalicionet me partitë apo individët e korruptuar dhe thekson se koalicioni i lëvizjes së tij do të jetë me çdo qytetar dhe personalitet të ndershëm.
“Shqipëria bëhet do të jetë në koalicion me qytetarët dhe me çdo personalitet të pandotur nga korrupsioni i këtij vendi për të rrëzuar këtë pushtet të tejzgjatur. Çdo i ri që dëshiron të angazhohet dhe nuk ka hije dyshimi do jetë i mirëpritur për të bërë ndryshimin e madh. Koalicione fiktive me njerëz që kanë vjedhur dje Shqipërinë dhe pretendojnë se do jenë më të ndershëm se këta që po e vjedhin sot nuk do t’i bëj”.
Gjuhën e urrejtjes ndaj tij, Lapaj e shikon si frikë nga modeli i tij, për shkak të qasjes që siç thotë ai, cenon një pjesë të popullsisë së vendit.
“Ky është destini i njerëzve që bëjnë gjëra në jetë, krijojnë emocione të forta dashuri tek ata që i duan dhe urrejtje tek ata që nuk i duan. Qasja ime dhe tezat e mia cenojnë një pjesë të popullsisë së këtij vendi ata që i kanë vjedhur pasuritë e vendit, ata që e kanë kthyer Bulqizën ku është kromi në më të varfrit në Ballkan, Ballshin që lundron mbi arin e kanë kthyer në qytet fantazmë.
Këta i tremb modeli i Adriatikut, kanë para për të kojtur gojë e portale me pagesë. Por nuk më trembin. Shqipëria bëhet që ç’ke me të. Ka 32 vite që vidhet në mënyrë barbare dhe vazhdon ta mbajë këtë popull, aq i pasur është. Një vend që ka 32 vite që jep duhen vetëm rregulla loje që krijon meritokraci në çdo fushë”.
I pyetur pse nuk merr pjesë në protestën poshtë shtëpisë së Berishës, ai u përgjigj: “Berisha është njeri që përfaqëson vullnetin e një pjese qytetare dhe kurrsesi vullnetin tim. Duhet të kishte shkuar në pension politik. Nuk e mendoj kur të jem në moshën e Berishës të merrem me luftë për jetë publike. Brezat duhet të kenë stafetë. Në moshën e Berishës do jem duke u marrë me peshkim”.