Golemi: Aeroporti i Gjirokastrës do të çlirojë potenciale zhvillimi për gjithë jugun
Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi e cilësoi sot vendimin e qeverisë për ndërtimin në Gjirokastër të aeroportit të jugut, një kartolinë të bukur në nisje të vitit 2024.
Golemi u shpreh se “ky është një lajm i mirëpritur që i shton vlerë gjithë përpjekjes që ne kemi bërë këto vite për ta vënë këtë aset në shërbim të turizmit”.
“Kemi bërë çmos ta lironim pistën aktuale e të merrnim aprovimin për fluturimet sportive dhe ia dolëm mbanë. Tani është përpara një punë tjetër më e madhe për investimin që do të kryhet e më pas operimin e këtij aeroporti, i cili do të çlirojë potenciale të tjera zhvillimi për Gjirokastrën, Sarandën dhe krejt jugun e vendit”, u shpreh Golemi.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës u shpreh besimplotë se “më herët sesa vonë do të nisin punimet dhe në një të ardhme të afërt kjo vepër infrastrukturore do të jetë gati për fluturimet e para”.