Avdullah nga Arabia Saudite sjell pus gështenjash në Sarandë
Nga Thoma Nika
Në të parin dimër si destinacion turistik, Sarandës nuk mund t’i mungonte servirja edhe e pijes tipike, që është VERA e NGROHTË. Ku, më mirë se në Sarandë, VERA si stinë dhe VERA si pije, do të shijoheshin si një “rotacion” i natyrshëm?! Ato janë aq të përkryera në ndjesinë që japin! Edhe se VERA e NGROHTË vihet buzë detit në buzë, në shetitoren e mbushur me shitore, me tavolina e karrige, ku asgjë nuk mungon.
Aaa, po. E saktë. Diçka ishte mangut, do të thoshnin ata korçarë, që këtë prag Krishtlindjesh e këmbyen Korçën me këtë destinacion të ri dimëror, që Shqipëria i shtoi hartës europiane. Kështu ndodhi që “shtegtuan” këtë funddhjetori drejt Sarandës. E mungesa, sipas tyre, ishte se VERA e NGROHTË nuk shkon, pa GËSHTENJËN E PJEKUR. E thotë edhe fjala e mençur: Gështenja do verën e vera gështenjën, siç do pisha erën dhe vajza puthjen…
Për disa javë VERA e NGROHTË u servir “thatë” në shetitore. E kjo ndoshta bëri që konsumi i saj të ishte “sa për provë”.
Por ja ku vjen Avdullai sot, që i dha fund kësaj mungese. I ardhur në Shqipëri nga Arabia Saudite, në diçka më shumë se 1 m2, që ka zënë në shetitoren e Sarandës, Avdullai i ofron të gjitha: edhe VERËN e NGROHTË, edhe atë që ai e promovon si PUSI I GËSHTENJAVE, edhe pjekjen e tyre në çast e në sytë e klientit. E bën këtë në një mini-kamin, që i ngjan edhe një pusi. Atje gështenjat vallëzojnë mbi mijëra kokrriza të zeza, të prushta, nga marrin faqe prej nxehtësisë së tyre. Për të dhjetëfishuar shijen e gotës së VERËS SË NGROHTË.
Gëzuar! Me shijen simbolike të Turizmit të Dimrit. Ku? Në Sarandën turistike, për herë të parë, dimër-verë!