Beleri akuza Ramës nga burgu: Dirigjent i drejtësisë, urdhëron gjyqtarët të më ndalojnë betimin

Në prag të seancës 4 dhjetorit, kreu i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shitblerje votash, ka reaguar nga qelia për procesin gjyqësor të nisur ndaj tij.

Beleri akuzon drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama se ndikon në vendimet e drejtësisë, duke udhëzuar dhe urdhëruar gjyqtarët.

Ai ndalet veçanërisht te çështja e betimit të mbetur pezull, proces për të cilin insiston me ngulm edhe Greqia se duhet kryer, edhe pse Beleri ndodhet pas hekurave që nga mbrëmja e 12 majit, kur u arrestua në Himarë.

Për këtë çështje që ka rikthyer akujt në marrëdhëniet diplomatike të Athinës dhe Tiranës zyrtare, Beleri thekson se Rama ka urdhëruar gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre.

REAGIMI I FREDI BELERIT:

Kryeministri shqiptar Edi Rama, për të disatën herë në shtatë muajt e fundit, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare. Në mënyrë të pavërtetë, deklaron se jam arrestuar në flagrancë për shitblerje votash. Gjykata ende nuk ka vendosur për rrethanat reale të arrestimit tim, ndërsa unë vetë kam paraqitur ankesë në gjykatë lidhur me arrestin në flagrancë, ankesë e cila ende nuk është shqyrtuar nga gjykata kompetente. Nga ana tjetër, z. Rama udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës!

Pyes veten nëse e ka parë ose jo videon e arrestimit tim, e kapur rastësisht nga kamera e një restoranti në shëtitoren e Himarës? A e pa që unë po bisedoja me avokatin dhe kushëririn tim?

Ndërhyrja e z. Rama është shkelje e prezumimit të pafajësisë, siç qartësisht përcaktohet në nenin 6 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Le ta kuptojë që derisa të provohet nëse jam ose jo fajtor, prezumohem i pafajshëm.

Këtë herë, Edi Rama nuk nguron të ndërhyjë edhe në çështjen e betimit tim, çështje e cila pritet të shqyrtohet. Deklaron fjalë për fjalë, duke iu referuar personit tim: “Ai nuk mund të betohet, pasi ligji ynë është shumë i qartë për kushtet në të cilat kryhet betimi”.

Deri më tani na trumbetonte se është drejtësia ajo që do të vendosë dhe se ai vetë nuk dëshiron të ndikojë në vendimin e gjykatës. Duke qenë se tani e sheh që seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës sime për kryerjen e betimit do të zhvillohet më 4 dhjetor 2023, po ndryshon taktikë. Ai i urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre. Në këtë mënyrë, imponon gjykatën që të më ndalojë të betohem.

Le të tregojë vetëpërmbajtje, siç i takon për postin që mban. Në fund të fundit është kryeministër! Le të sillet si i tillë!