“Pranon të rrijë në burg, vetëm të betohet si kryetar bashkie!”/ Artan Hoxha tregon ç’po ndodh me procesin ndaj Belerit
Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për gjyqin e Fredi Belerit, i cili sapo ka nisur.
Hoxha tha se Beleri po përpiqet me çdo mënyrë ligjore, që të marrë leje për të dalë nga burgu qoftë edhe vetëm gjysmë ore, në mënyrë që të betohet si kryebashkiak i Himarës, ç’ka do t’i hapte rrugë delegimit të drejtimit të Bashkisë, te një person i besuar i tij.
“Nga data 12 maj kur Beleri është arrestuar dhe deri sot, ai ka bërë të gjithë përpjekjet që të ketë qoftë edhe një orë leje, për të patur mundësinë dhe për të ushtruar të drejtën si fitues i zgjedhjeve të Himarës, për të bërë betimin, kudo të jetë e mundur dhe pastaj pranon të rrijë në burg. Javën e kaluar, të enjten u çel procesi gjyqësor. Deri tani të gjithë tentativat që kanë bërë avokatët e Belerit, për të marrë lejen, nuk e kanë marrë dot lejen. Procesi do të zgjasë, sepse nuk është me gjykim të shkurtuar. Avokatët e Belerit, besoj edhe ai vetë, e shohin si strategji që procesi të zgjatet.
Në proces, avokatët e Belerit kërkuan fjalën, nuk lanë prokurorinë të lexonte kërkesën për gjykim, apo fabulën me të cilën e kanë sjellë në Gjykatën Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por menjëherë ndërhynë dhe kërkuan, së pari pavlefshmërinë e akteve që ka bërë prokuroria, që nga arrestimi dhe mënyra si janë marrë prova dhe së dyti të përjashtohej nga gjykimi një gjyqtare, sepse sipas tyre, gjyqtarja ka marrë një vendim kundër tyre në fazat e mëparshme të vlerësimit të masave të sigurisë.
Në këto kushte, seanca u ndërpre dhe do të vijojë nesër, do të shohim sërish media greke, ambasadoren greke dhe gazetarë me sa pashë ishin të mirë, jo të zakonshëm, pra i kanë dhënë shumë rëndësi. Nesër do të jetë seanca e dytë, por me sa kam parë deri tani avokatët e Belerit nuk kanë hequr dorë nga tentativat për të pëfituar qoftë edhe një leje të shkurtër, që të ketë mundësi të bëjë betimin.
Deri tani, mundësia për ta penguar Belerin është kjo që ka ndodhur. Beleri mund të heqë dore vullnetarisht nga mandati ose nëse dënohet me vendim të formës së prerë. Por, ai nuk e bën dot betimin nëse është ndaluar. Forma që është ndjekur, është që Beleri të rrijë në masën maksimale, pra arrest me burg, nuk i është miratuar leja edhe pse në tre muajt e parë, ka qëndruar në spitalet e burgut. Nga ana tjetër, nëse ai nuk është i lirë, ai nuk e realizon dot betimin, nuk bëhet në qelitë e burgut”, tha Hoxha.
Gazetari gjithashtu u ndal edhe tek censi, duke deklaruar se një nga arsyet pse Beleri kërkonte me çdo kusht daljen nga qelia për t’u betuar, ishte sipas tij, caktimi i grupeve të terrenit që kryejnë censin, një procedurë shumë e rëndësishme, pasi numri i pesonave të deklaruar si me etni greke, mund të ndryshojë statusin e Himarës në zonë minoritare.
“Aty duhet të deklarohen rreth 300 vetë më shumë se ç’janë dhe Himara fiton të drejtën e zonave që kanë të njëjtat favore, që ka edhe zona e Finiqit, Dropullit, që drejtohetn nga të zgjedhur të pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Në fakt, një nga shkaqet që u kërkua me insistim që Fredi Beleri ta bënte betimin, është edhe kjo gjë.
Në momentin që Fredi Beleri do të bënte betimin si kryetar bashkie, do të qëndronte në burg, do të autorizonte një nga nënkryetarët e bashkisë. Është rasti i kryetarit të bashkisë së Vorës, Kajmaku, që e proceduan, por ai emëroi një nënkryetar dhe ai u bë problem edhe për mazhorancën derisa u bënë zgjedhje të re.
Me ligjin që kemi bërë ne për censusin, ato grupet në terren i vendos pushteti vendor. Në Finiq dhe Dropull që e kam ndjekur, të gjithë grupet në terren i kanë zgjedhur kryetarët e bashkive të minoritetit atje, monitoruesit thonë nga qendra i kemi ne.
Nëse ke atë në terren që mbush formularin, ai është njeriu që kontakton sy më sy. Kjo ishte përpjekje që u tentua të bëhej, dështoi. Nuk mendoj se kryetari që është aktualisht, ka bërë çfarë kanë dashur nga përtej kufirit, por edhe ndonjë rezistencë të madhe nuk besoj. Jam kurioz si do të dalin të dhënat e censusit në Himarë, sepse është një nga zonat më nevralgjike dhe disa nga pyetjet, që janë future në këtë formular, janë pyetje që do të na krijojnë problem për vitet në vazhdim.
Grupet e punës në pjesën dërrmuese, janë vendosur nga stafi në detyrë që i ka Edi Rama. Nëse ia kanë korruptuar Edi Ramës grekët stafin, ky është problemi i Edi Ramës”, deklaroi Hoxha.