15 vite burg kush shkel karantinën, ja drafti i propozuar nga deputetët socialistë
Burg deri në 10 vjet është dënimi që propozon mazhoranca socialiste për të gjithë ata që shkelin urdhrin e karantinës.
Më rast të cenimit të jetës së qytetarëve, dënimi shkon deri në 15 vjet burg. A2 disponon draftin që ka shkuar në Kuvend si nismë deputetësh dhe jo e Qeverisë, përmes të cilit kërkohet të shtohen dy nene në Kodin Penal.
Një prej tyre është shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjes infektive.
“Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”
Deputetët socialistë propozojnë gjithashtu që në Kodin Penal të shtohet edhe një nen që ndëshkon nga gjobë deri në disa muaj burg, të gjithë ata që nuk i binden masave të autoriteteve, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Dënimi me burg rritet për përsëritësit dhe ata që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
“Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit. Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”
Në arsyetimin me të cilin shoqërojnë këto propozime, deputetët socialistë shpjegojnë se masat janë të nevojshme në kuadër të forcimit të luftës kundër epidemive, nisur edhe nga situate e vështirë në mbarë botën që ka shkaktuar COVID-19.
Sanksione të tilla në Kodin Penal, kanë parashikuar edhe vende anëtare të Bashkimit Europian, si Italia, nënvizojnë deputetët.