Sarandë, një i ri kapet në banesë me armë dhe kokainë
Policia e Sarandës finalizon operacionin policor të koduar “One”, duke vënë në pranga një të ri i cili mbante në banesë armë zjarri dhe fishekë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me qytetarët, për të përmbushur objektivat e përbashkët, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë organizuar operacionin policor të koduar “One”, për kapjen e një shtetasi që mbante armë zjarri në banesë.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. Sh., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në lagjen nr. 1, Sarandë, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat posedoheshin nga ky shtetas, pa leje, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike kokainë.
Arma, fishekët dhe lënda narkotike kokainë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.