Në Krorëz dhe për Krorëzën
Nga Josif Papagjoni
U bëmë tre shokë të vjetër qysh nga fëmijëria: Unë, Stefan Martiko, miku im i shtrenjtë, poet i mirënjohur, eseist e shkrimtar, si dhe Lefter Spiri, mësues i historisë, me të cilin, siç themi anëve tona, kemi dhe një “lugë gjak”. Ndonëse fatet tona janë ndarë, sidomos me eksodin masiv të vitit 1991 drejt Greqisë, ne takohemi shpesh, nuk harrohemi. Stefani me Lefterin jetojnë të dy në pjesën më të madhe të kohës në Athinë, por në verë vijnë në Sarandë. Me Stefanin më lidh fort letërsia, shijet, një alkimi e çuditshme, ndërsa me Lefterin, krahas asaj “luge gjak” që kemi nëpër deje, me lidhin bisedat: është njeri i ëmbëLefterit, që ngiste skafin, pasi kapi nja dy tëjë
Çfarë aventure e paharruar!
Po ç’ishte plazhi i dëgjuar i Krorëzës, ku po vraponim me aq hare?
Krorëza ka qenë shekujve pronë e fshatit Shën-Vasil, i mbrojtur me gjak nga sulmet e turqve të dikurshëm dhe sejmenëve të tyre, sikundër dhe nga lakmitarë të tjerë të mëvonshëm. Si dikur Jusuf Arapi, gjysmë vëllai i Ali Pashë Tepelenës u ra tinëz në shpinë bregasve ditën e Pashkës së Gushtit dhe vrau, preu e dogji krejt fshatin, thuhet mbi 3000 vetë, ashtu dhe sot të tjerë Jusufër e Arapër duket se po i afrohen këtyre brigjeve si hijenat. Janë hijenat e parave të mëdha, që po derdhin jargë nën ombrellat e shtetit dhe hajnive të institucionalizuara. E kush nuk i qaset gjësë së bukur?! Të gjithë lëpihen për ta shijuar e kafshuar atë. Ekstazat e tyre prej hajdutësh e shohin bukurinë e mbetur të Krorëzës si të ishte një femër që çmend mishrat e tyre të kalbur nga epshet e pangopësisë prej kaçakësh të rinj. Mali sipër Krorëzës është i kredhur në gjelbërim. Mbi masivin shkëmbor ngrihet stoik, por i plagosur, Manastiri i njohur i Krorëzës. Në të djathtë është gjiri i mrekullueshëm i Kakomesë. Aty u përlesh lakmia e shtetit me vendosmërinë e niviciotëve për mos ta lënë atë bukuri ta shqyente fund e majë korrupsioni dhe paraja tinëzare.
Qysh fëmijë e mbaj mend kishën e manastirit të Shën Mërisë në Kakome. Imazhi i saj drithëron ende në mendjen time. Ishte e tipit me 3 absida, mure të latuar, e tipit kryq, e brendashkruar me kryq. Ajo u pikturua nga ikonografi i njohur Mihal Jerma më 1672. Bri saj ishte kisha e manastirit të shën Mërisë së Krorëzës. Në atë kishë fshatarët e Shën Vasilit ishin mbledhur gjatë operacionit të qershorit 1944 dhe luteshin që bombat e avionëve, gjylet e topave dhe plumbat mos t’i vrisnin fëmijët e tyre. Dhe kisha i kishte shpëtuar, i kishte futur në gjoksin e vet, kështu besonin ata. Më ka bërë përshtypje naosi i saj i ndarë nga altari përmes një ikonostasi; ishte e llojit të kishave sallë me kupolë. Qe pikturuar në vitin 1672 nga ikonografi Mihal Jerma. Sa shumë histori kam dëgjuar për mrekullitë e saj nga ata që i besojnë. Kishte një Bibël të vjetër me kapakë floriri dikur kjo kishë; që mos ta vidhnin në rrëmetin që ndodhi pas vitit 1991, thuhet se e çuan në Greqi.
Çështja e pronave në Bregdet është një plagë që dhemb. Kullon gjak. Gjithfarë hajdutësh, që s’kanë kurrëfarë lidhje me to, i janë avitur sot si tigrat, hijenat dhe gjarprinjtë. Unë i shoh dhe paralelizojë vetëm si “kafshë” të tilla ata që duan t’i rrëmbejnë këto bukuri. Edhe bisedat tona aty në Krorëz, venin nga venin, dhe tek ato vëndthe të trashëguara sa dhe të bekuara nga të parët tanë, shkonin. Po pse nuk ua njohin fshatarëve ato toka, ato male e ato pyje, kur ata i kanë patur si mjete jetese tërë jetën e tyre; pse hedhin në sulmin e hajnisë gjithfarë nenesh të mbrapshta, pse duan t’i tjetërsojnë pronat, tapitë e kufinjtë tanë të pacenueshëm? Shfaqen gjithfarë defterexhinj dhe u kërkojnë niviciotëve ca letra bakalli, kur prona vetë është e paradhënë, e parashkruar, një realitet historik. Pse duhet të vijnë të tjerë aty? Përse? Po me pronat e Shën Vasilit pse dridhen e spërdridhen, pse qisin kunja, pse nxjerrin xhepa? Problemi është fare i thjeshtë. Dëshiron zhvillim turistik të zonës, zotëri? Ok, bëj një plan rregullues dhe lëri pronarët historikë të ndërtojnë përputhur gjithë kritereve urbanistike, ndërsa shteti të investojë në infrastrukturën urbane. Ose-ose, nëse një firmë e fuqishme turistike kërkon të bëjë një fshat turistik si ta zëmë Zamir Mane në Palasë, bujrum, ejani bisedoni me ne si pronarë, biem dakort për çmimet, ti kaq e ne aq, dhe ecim përpara. Por jo! Sepse ky lloj xhinsi do që t’i vjedh. Por sa shkojnë ditët, aq më shumë njerëzit binden për pasurinë e tyre si mjete mirëqenieje dhe ekzistence tashmë. Dhe kjo vetëdije e re po sjell edhe reagime, që kur shkojnë mbarë e qetë shprehen në votë, por kur çizmja e hajnisë shkel keq e për dreq interesat jetike të njerëzve, nisin demostrimet, kundërshtimet, rebelimet…
…Ne kemi mall për ato vende ende të virgjëra. Dhe u nisëm me familjet tona nga gjiri i Marinës në Sarandë drejt Krorëzës. Saranda po hapej. Ndiheshin trokëllimat e kuajve të rinj. Ja heremecet e Nivicës, me siguri në një të ardhme të afërt ato do të shijonin dorën moderuese të urbanizimeve të pritshme qytetëse. Por ah! Ato troje s’dihej se në ç’duar hajdutësh të rinj do të binin, shfryja inat unë. Qyteti po zgjerohej me shpejtësi. Një lagje e tërë, e quajtur “Baba Rexhepi”, mbi varreza, ishte mbushur me shtëpi të reja e pallate nga fshatrat e Labërisë. Dikur ato troje e toka qenë të bregasve, por ata s’ndërtojnë dot më aty. Duhet ta grabitësh tokën si ata katundarët e ardhur nga fshatrat e Labërisë, apo të respektosh një ligj që i ka bërë lëmsh marrëdhëniet pronësore? Mesa duket duhet të grabitësh me forcë diçka, kundër ligjit të shkruar, me ligjin e “pashkruar”. Ligjin e më të fortit…
Ja, këto mendime më vejevinin në kokë teksa barka lëvizte bregut shkëmbor mbushur me gjire të vegjël, pllaka dhe një bimësi mesdhetare: lisa, valanidh, sfakë, gjineshtër, mëlqinja, shqope, prralle, halore. Ja dhe Kakomeja, ku zbarkuan anglezët nën komandën e djalit të Çurçillit. Më në fund, Krorëza… Zbrita nga barka. Mbi shkëmb, sipër plazhit, ishte manastiri i vjetër, që i përkiste fshatit tim, Shën-Vasilit. Krorëza qe një plazh i virgjër, uji i kthjellët, i pastër, aq sa ta pije. Një gjith’ deti i rrethuar nga shkëmbinjtë. Disa anije vinin që nga Saranda të mbushura plot me plazhistë. Zhurmonin gjithandej zëra të rinjsh. Dhe të qeshura pa pushim. U zhvesha dhe hyra në ujë. E njihja detin. Ia njihja shijet. Edhe huqet. Por kësaj here ai kishte dallgë. Sikur mbante mëri me mua. Me të gjithë ne. Kishte inat. Më merrte me vete dhe më përplaste zhavorrishtes si për të më thënë: “Ej, miku im i vjetër, unë jam det i egër, s’jam i butë si ti, nuk e ul kurrizin kaq shpejt sado fshikuj të bien mbi mua. Ju jeni bërë si pulat. Fryma e të parëve tuaj ka reshtur. Më kanë hipur nervat me të gjithë ju. Po të marr me dallgët e mia dhe po të vërvit bregut. Zgjohu! Pse jeni kaq të tulatur? Boll masakër mbi tokat e të parëve tuaj është bërë! Çohuni! Siç po bëj unë, edhe ju mos e ulni kurrizin. Ky plazh është i juaji, jo i të tjerëve, që ja kanë vënë syrin. Edhe unë jam i juaji, jo i të tjerëve. Mos më dëshpëroni më tepër! Tunduni!”
Nuk e durova dot fshikullin e dallgës. U zhyta menjëherë nëpër të, u mbulova nga shkuma e detit dhe mendimet më morën tjetër udhë. Notova gjatë nën ujë. E mora gjithë kënaqësinë e tij, shijen e kripës dhe e futa nën lëkurë. Sa shije të mirë kishte deti! Por hajnitë kishin shije tjetër. Po shteti dhe e drejta çfarë shijesh kanë vallë?!