Rrëmbeu dy miqtë në Sarandë, lihet në burg Albi Mecini
Albi Mecini, i arrestuar një ditë më parë pasi u kap me eksploziv të montuar me celular, gati për shpërthim është lënë në burg, me vendim të gjykatë këtë të enjte.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtar Nertil Dushku, prokuror të çështjes Aida Cakajn dhe avokat Klaudio Dhima vendosi arrest me burg për Mecinin, i cili akuzohet për rrëmbimin e dy miqve Leonard Theodhori dhe Fatmir Sulovari, katër muaj më parë në Sarandë.
Ndërkohë, për rrëmbimin e dy 46-vjeçarëve, është shpallur në kërkim 25-vjeçari Sebastian Lataj për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Hetimet e çuan policinë në këto emra, por jo drejt gjetjes së trupave të të zhdukurve që po kërkohen me ngulm prej 9 prillit nga familjarët. E rezervuar policia tregohet edhe për sa i përket motiveve të ngjarjes pasi ka dyshime për persona të tjerë të implikuar.
Por rrëmbimi nuk ishte i vetmi aktivitet kriminal i Meçinit.
Me arrestimin e tij, policia parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale që mund të kishte pasoja të rënda në jetët e njerëzve. 29-vjeçari u kap nga Forcat Operacionale në aksin rrugor “Mbrostar-Fier” ku në automjetin e tij kishte 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë.
Gjithashtu, nga kontrolli i zonës u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim 27-vjeçarin nga Dibra Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukalin të cilët u shpallën në kërkim, kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.