Vdekja e kamarierit në Sarandë, gjykata liron montuesin e ashensorit
Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Lulzim Allkushin, personi i cili montoi ashensorin në lokalin, ku humbi jetën aksidentalisht një 17-vjeçar në qytetin e Sarandës.
Prezentë në seancën gjyqësore ishin krahas gjyqtares Suela Xhani dhe dy prokurorët Aurora Hajno dhe Silvana Belishta.
Mbi të paditurin Allkushi rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Katër vite më parë, 43-vjeçari kishte ndërtuar në mënyrë artizanale ashensorin në subjektin e Spiro Iljadhit, ku ndërroi jetë aksidentalisht 17-vjeçari Antonio Delilaj.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se Allkushi ishte i palicencuar dhe kishte sajuar një pajisje të ngjashme me ashensorin për transportin e mallrave në depon e magazinës.