Delvina mundi në miqësore Butrintin, trajneri Alinani: Nuk më duhet rezultati, ekipi më përgjigjet
Delvina fiton 1-0 me Butrintin. Një autogol i Oltjon Rapës ka vendosur miqësoren e zhvilluar të shtunën. Përballja miqësore startoi me formacionet më të mira, ndërsa Markelian Alinani dhe Neritan Novi nuk kursyen askënd.
Mungesa e Mario Mërkurit, goleadorit të Luftëtarit sezonin e fundit për arsye dëmtimi, ndikoi jo pak në radhët e sarandjotëve. 45 minutat e para u luajtën kryesisht në mesfushë. Rastet numëroheshin me “gishtat” e dorës dhe në pushim shkuan me rrjeta të paprekura. E dyta foli dukshëm për Butrintit, që ishte shumë herë më kërkues. E megjithatë, goli foli për vendësit. Gjashtë minuta nga fundi i pjesës së dytë, vjen edhe avantazhi. Ka mjaftuar autogoli i Rapaj, që Delvina të triumfonte.
Pas ndeshjes, trajneri i delvinjotëve tha: “Ndihem mirë, kur ekipi më përgjigjet. Rezultati ka pak rëndësi. Butrinti është ekip me buxhet shumë herë më të madh se Delvina, por ne ia dolëm që të fitonim në këtë test”.