Rama për “Kathemirini”: Nuk e marr personale, nuk do ta bëja atë që bëri Mitsotakis
Kryeministri Edi Rama në intervistën për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” deklaroi se nuk e merr personale mos ftesën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur nga gazetari Pavlos Papadopoulo, lidhur me këtë çështje Rama tha se “gjatë gjithë këtij rrugëtimi në jetë kam mësuar se të ndihesh personalisht i fyer nuk është diçka që të bën të jetosh mirë. Ndaj nuk e marr kurrë personale, kur bëhet fjalë për politikën, për gjëra që mund të jenë të pakëndshme për ty e që mund të bëjnë të ndihesh keq sepse tek e fundit politika është një bishë e rrezikshme mund të të tërheq poshtë, e të bëjë e të thuash gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që jo nuk nuk ndjehem personalisht i ofenduar. Thjesht unë do ta bëja (atë që ai bëri)”.
“As nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë madje për më tepër mendoj se qëllimi i takimit dhe nismës që mori Kyriakos lidhet me diçka shumë ,shumë të madhe. Kështu të lidhësh këtë qëllim kaq të madh me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë. Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështje që e dimë të gjithë me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme mes miqve, miqtë duhet të përballen, të flasin ,të përpiqen, të kuptojnë , ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “Kyriakos ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja dhe akoma është një mik që e pëlqej dhe respektoj. Shpresoj që kjo gjë do të ndreqet, por edhe nëse nuk ndodh Kyriakos do të jetë një mik që e pëlqej dhe respektoj. Pastaj politika siç e thashë mund të jetë një ndikim i keq”.
I pyetur për vizitën e Mitsotakis në dhjetor 2022 dhe nëse kishte folur ndonjëherë me Mitsotakis për rezervat që kishte për Belerin, Rama tha se “jo, jo dhe nuk mendoj që ai bëri realisht fushatë, mendoj që ai ishte për vizitë atje.Po, po ai mund të jetë me kë të dojë, unë nuk i gjykoj miqtë e mi kështu. Ne ishim në Derviçan, po, dhe isha shumë i kënaqur që isha me të, e ndërkohë, po përgatisim bustin që do të vendoset atje për nder të babait të tij të ndjerë, Kryeministrit Konstandin Mitsotakis, i cili përpara sesa të vinte Qirjakosi ishte kryeministri i parë dhe i fundit grek që pati ardhur të takonte qytetarët me kombësi greke në atë zonë, ndaj është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e atij komuniteti atje. Unë nuk kam dhënë urdhër që të ndalet puna me bustin. Po pres rezultatin dhe duam të vendoset atje përpara 28 tetorit. Ju keni një datë të rëndësishme më 28 tetor, apo jo? Ndaj, kushdo që do të ketë mundësinë të vijë në atë datë nga Greqia për vizitë, do të gjejë Konstatinos Mitsotakis aty në shesh. Sheshi, ndërkohë, po rindërtohet. Kemi bërë një projekt. Kështu mendoj se nderohet lidhja mes shqiptarëve dhe grekëve, natyrisht, jo vetëm me këtë, por besoj ky është një shembull i vogël i asaj sesi unë mendoj që duhet të jetë”.