Ujë nga Syri i Kaltër në Itali, Rama: Projekt i madh që kërkon investim, do kemi takim në Romë
Ndërtimi i një projekti të ujësjellësit që do të çojë ujë nga Shqipëria në Puglia ka qenë temë diskutimi gjatë pushimeve në Vlorë të kryeministres italiane Giorgia Meloni me ftesë të kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për median kreu i qeverisë la të kuptojë se nuk është hequr dorë por se kërkohet financim i madh dhe prandaj duhet investim nga pala italiane.
“Varet nga vullneti i qeverisë italiane sepse është projekt i madh që Shqipëria nuk mund ta realizojë dot.
Janë gjëra që janë diskutuar edhe në të shkuarën por kur flet me një kryeministër të ri të Italisë duhet ti shtrosh sërish në tryezë.
Me shumë gjasë do të ketë në Romë një takim të dytë të komitetit të investimeve do të shikohet si do të shkojë”, tha Rama.
Rama zbuloi dhe disa detaje para samitit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë.
”Në tetor kemi samitin e Berlinit ku Meloni do të jetë prezentë. Do të ketë dhe dy tre takime në nivel ministrash me të gjithë vendet që do të marrin pjesë në samit. Do të shohim si do të shkojë”, shtoi Rama.