Siguria në plazhe/ Balla apel përdoruesve të mjeteve lundruese: Respektoni perimetrat e sigurisë ujore
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla iu ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të mos rrezikojnë pushuesit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Balla thekson se autoritetet janë vazhdimisht në terren dhe po mbajnë nën monitorim situatën.
Ministri i Brendshëm thekson se nuk do të ketë tolerime për ato që shkelin ligjin.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë në krye të detyrës për të monitoruar plazhet ku po pushojnë qytetarë të shumtë vendas dhe të huaj. Dua t’i kujtoj përdoruesve të mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete. Nuk do të ketë asnjë tolerim në asnjë rrethanë dhe për askënd.
Ftoj qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të telefonojnë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, me forcën e ligjit.