Saranda, me muzeun që se meriton

Një biçim muzeu i Sarandës në shëtitore, në zonën më të populluar, te ish-dogana ku shërbente si nëpunës Naim Frashëri, është më shumë se një muze, një tregues i emergjencës që ka ky qytet për disa investime jo patjetër infrastrukturore në funksion të turizmit. Në aspektin kulturor dhe rekreativ, qyteti lë shumë për të dëshiruar. Muzeu, si dhe ai arkelogjik pas tij, në anën tjetër të rrugës së kalldrëmtë, janë mishërim i një lloj pavëmendje të pafalshme në vite, sidomos 10-vjeçarin e fundit, për t’i shndërruar në atraksione të gjalla e jo duke i lënë thjesht në shenja pa jetë.

Që janë të tilla, kjo duket me sy të lirë. Rrallë, shumë rrallë, ndodh që të shohësh ndonë vizitor, vendas a të huaj, të hyjë në to.

Duke u fokusuar te “Naim Frashëri”, një godinë muzeale dhe në pamje e strukturë të jashtme e të brendshme, një derë duraulimi nuk është aspak ftuese që të hysh aty për të shijuar atë çfarë ka brenda. Brenda është në fakt një muze tipik arkaik, krahasimisht me stilet moderne të muzeve të sotëm, edhe me spektakle teknologjike.

Ai është tipik lloj muzeu i trashëguar si formë e përmbajtje nga komunizmi, me arredimin tipik të asaj kohe, i mangët në shumë aspekte, gati i padenjë për të qenë i një qyteti me rrënjë deri në lashtësi.

Sa për shembull, nuk has askund në këndet e atij prezencën e figurave të tilla aty, aktorë globalë, si Musolini e Hrushovi, vizitorë të Sarandës vite të shkuara e jo vetëm ata. Po, mund të ishte i denjë si një muze fshati.

Saranda duhej të kishte disa muze, të disa profileve, të vendosura në pika të ndryshme, duke e zgjeruar hartën e saj turistike në hapësirën urbane.

Saranda nis nga deti, por s’mund e s’duhet të jetë vetëm det e shëtitore. Nuk është aq e vogël për të qenë e tillë, edhe historikisht. /tesheshi.com/