Margariti: Revista “Archeo” jehonë Butrintit, pjesë e itinerarit të certifikuar nga Këshilli i Europës
Qyteti antik i Butrintit ka zënë faqet kryesore të revistës prestigjioze “Archeo”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se në numrin e muajit gusht 2023 i është kushtuar një “speciale” Butrintit, si një nga stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të Eneas, një itinerar i certifikuar nga Këshilli i Europës dhe që bën bashkë site të ndryshme të trashëgimisë kulturore, që lidhen me heroin mitik.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në jug të vendit, që tërheq interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.
Parku ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur në dy anë nga liqeni i Butrintit dhe në një anë nga kanali i Vivarit.
Parku Kombëtar i Butrintit ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet, që nga tempujt helenikë të shek. IV para Krishtit, deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX.