Shpërndante doza kanabisi në plazhin e Sarandës, arrestohet 28-vjeçari
Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Sarandës, pasi është kapur duke shpërndarë doza kanabisi nëpër zonat bregdetare. Sakaq, të riut i janë sekuestruar një sasi kanabisi e ndarë në doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Parts 15”, për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar që shpërndante doza kanabisi, në zonat bregdetare.
Sekuestrohen një sasi kanabisi e ndarë në doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në zonat urbane dhe ato bregdetare, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e një rasti të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Parts 15”, u arrestua në flagrancë shtetasi, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin e tij, janë gjetur 28 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një shumë parash, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.