Pse nuk po ndez çështja Beleri?
Nga Ruben Avxhiu
Greqia e ka shënuar si një minus për Shqipërinë dhe do të donte të detyronte lirimin e tij të menjëhershëm, mirëpo mundësitë e saj për të vepruar janë si rrallë herë të kufizuara.
Në Athinë janë të bindur se nëse Rama dëshiron ta lirojë do ta bënte menjëherë, megjithë justifikimet e tij se kjo është çështje e gjykatave dhe ai nuk mund të ndërhyjë.
Përshtypja është që zona e Himarës duhet të jetë mjaft e rëndësishme për të përderisa është gati të rrezikojë në këtë mënyrë.
Nga ana tjetër, pavarësisht se çfarë thonë, në Athinë e dinë që kjo ka lidhje me gjendjen dhe trajtimin e pakicës greke në Shqipëri, apo me faktin që Beleri ka kandiduar si minoritar. Po të ishte në krahun e Ramës nuk do të prekej sipas tyre.
Shumë janë ata që e krahasojnë me ngjarjet e gati 20 viteve më parë kur arrestimi i pesë oficerëve minoritarë bëri që marrëdhëniet Greqi-Shqipëri të dëmtohen jashtëzakonisht. Krahasuar me atë kohë, reagimi grek sot duket si pa dhëmbë.
Nuk ka dyshim që jetojmë në kohë tjetër. Nuk është më koha e luftërave në ish-Jugosllavia dhe koha kur statuset e minoriteteve në epokën mbas Luftës së Ftohtë ishin ende të debatuara se cila duhej të ishte forma e tyre më e mirë.
Sot, emigrantët shqiptarë në Greqi nuk janë më në gjendjen delikate të dy dekadave më parë, kur shteti grek merrte me mijëra prej tyre dhe i hidhte këtej kufirit si leckë, sa herë që donte të bënte presion ndaj Shqipërisë. Shumica e shqiptarëve sot në Greqi kanë pasaporta, leje qendrimi, statuse të rregullt. Shumë janë ata që janë kthyer vetë apo kanë lënë Greqinë për vende të tjera sidomos ato nordike e Gjermaninë.
As nuk është Shqipëria lehtësisht e kërcënueshme si atëhere. Sot është anëtare e NATO-s, përfituese e një konsensusi në BE për ta ndihmuar rajonin që ka mbetur jashtë anëtarësimit me fonde. Në probleme ndërkombëtare dhe të rajonit Shqipëria bën çmos që të jetë në vijën e SHBA-së dhe BE-së.
Jo më pak e rëndësishme është Greqia ka vënë re shpërfilljen e aleatëve të saj për çështjen Beleri. Asnjë nga ambasadat perëndimore, përfshi edhe BE-në nuk i janë bashkuar Greqisë në protestën e saj për këtë rast. Në vitin 1994, nga Washingtoni në Bruksel, qendrat e pushtetit perëndimor, të ndjeshëm në maksimum ndaj ngjarjeve në ish-Jugosllavi dhe në Detin Egje, ku Greqia e Turqia për pak kishin hyrë në luftë, i kërkuan në mënyrë të prerë qeverisë së atëhershme të Presidentit Sali Berisha, lirimin e grekëve të arrestuar. Ata dyshoheshin për spiunazh, e lidhje e shërbime të dyshimta me shtetin grek. Ironia është se ata mund të kenë qenë shumë më fajtorë sesa Beleri sot, por u favorizuan nga koha dhe gjeopolitika.
Ndoshta ishte edhe më e vështirë të provohej fajësia e tyre dhe Berisha e kishte djegur pak një pjesë të kapitalit të tij politik, me dënimin me burg të kryetarit të opozitës Fatos Nano. SHBA dhe BE kishin heshtur për Nanon, kështu që ishin më të prirur të besonin akuzën greke se heshtja për Nanon e kishte inkurajuar Berishën të përdorte gjyqësorin për hesape politike.
Lobi grek u tregua tepër i egër në atë periudhë dhe në Administratën Clinton kishte disa figura kryesore që ndihmonin.
Berisha gjithashtu në atë kohë u tha grekëve dhe perëndimorëve se çështja ishte në duart e gjyqësorit, mirëpo, kur Kryetari i Gjykatës së Lartë Zef Brozi i liroi të arrestuarit, ai e pagoi me humbjen e postit.
Sot, diplomatët grekë nuk mund të bindin lehtë kolegët e tyre amerikanë dhe europianë se Rama mund ta lirojë Belerin brenda natës. Sidomos jo pas reformës juridike që është mbështetur dhe miratuar nga Perëndimi. Greqisë i duhet të presë me durim që Gjykata të marrë vendim. Një gazetë greke shkruan se Rama nuk ka nevojë të ndërhyjë që dënohet Beleri. Mjafton që vendimi të vonohet aq sat ë skadojë afati ligjor i paraqitjes në zyrë të kryebashkiakut fitues dhe automatikisht zgjedhjet në bashkinë bregdetare duhet të përsëriten.
Oreksi grek për të ndërhyrë gjithashtu është shumë më i vogël se para dy dekadave. Pas zgjedhjeve të fundit, Demokracia e Re sapo ka fituar bindshëm dhe nuk druhet aq shumë sa dikur nga e djathta supernacionaliste greke. As nuk është Beleri një ëngjëll i pafajshëm. Mirëpo, nga ana tjetër, arrestimi ndodhi kur edhe Greqia ishte në fushatë zgjedhore dhe pas reagimit shumë të fortë të bërë fillimisht, Athina nuk mund të tërhiqet më.
Greqia do të ketë gjithmonë në dorë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, mirëpo zgjerimi i Bllokut është vonuar kaq shumë dhe duket kaq shumë i largët saqë çdo kërcënim në këtë drejtim tingëllon tashmë i zbrazët.
Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk mund të ketë pasoja. Qeveria e Shqipërisë është e kujdesshme që të qetësojë fqinjin e jugut.
Pak ditë më parë, në kuadër të 79-vjetorit të genocidit kundër Çamërisë, asnjë parlamenti shqiptar nuk guxoi as që të mbante një minutë zi për viktimat. Ishte një sinjal i qartë se shumica ne pushtet nuk do që ta irritojë Greqinë “me gjëra të tjera”, tani që po përpiqet ta marrë me të mirë për Belerin. Gjasat janë që as opozitë të mos ketë shumë oreks për ta mërzitur Athinën se çështja Beleri mund të përgjithësohet për të argumentuar se jo vetëm në Himarë por në mbarë vendin qeveria ka ndërhyrë në zgjedhjet.
Do të kishte qenë ideale që opozita në Himarë të kishte zgjedhur një kandidat tjetër, për të cilin të mos kishte dyshime për terrorist, apo për deklarata të panevojshme antishqiptare. Ka qenë kandidati që kam dashur që të humbiste më shumë se kushdo tjetër në ato zgjedhje. Kushdo që do të kërkojë më shumë transparencë për çfarë ngjau në Himarë, do të duhet të mbajë hundën me dorë për të kërkuar të drejtën e një njeriu që nuk e meriton të jetë përfaqësues publik i një komuniteti. Një njeri që kërkon demokraci për një garë ku është përzgjedhur vetë kandidat në mënyrë jodemokratike, ndonëse ka humbur disa herë, pa u dhënë ndonjë shans opozitarëve të tjerë grekë apo shqiptarë që të konkurronin me të për postin e kandidatit.
Edhe nga burgu ai këmbëngul që ta paraqesë arrestimin e tij si akt dhune ndaj pakicës greke. Mbase është e vetmja mënyrë që mendon se mund të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare, apo të detyrojë Athinën që të vazhdojë të kërkojë lirimin e tij. Nga ana tjetër, për shumë nga arsyet më larg nuk është çudi që Greqia të vërë në peshore se sa peshë duhet t’i japë kësaj çështjeje. A duhet të ruajë municonet e saj politike e ekonomike për një betejë apo kauzë më të rëndësishme. Apo të llogarisë se çfarë mund të bëjë Tirana për ta marrë me të mirë, në shkëmbim të refuzimit për ta kënaqur kërkesën për Belerin. Në këtë verë të nxehtë zjarresh reale, ky zjarri politik i Himarës nuk është ndezur dot edhe aq shumë, pavarësisht se nga çfare ane u përpoq t’i frynte Beleri.