Policia Kufitare kontrolle nga Vlora në Sarandë, bllokohen 30 mjete lundruese! Gjobiten drejtuesit e tyre
Rreth 30 mjete lundruese, përfshirë 12 Jet Ski, 13 gomone dhe 5 skafe janë bllokuar nga Policia Kufitare Vlorë, nga kontrollet kryera përgjatë bregdetit. Ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të rinj.
Konkretisht më Radhimë, Ksamil, Borsh, Lukovë dhe në Vlorë janë bllokuar 12 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masat 100 mijë lekë të rinj dhe 10 mijë lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 2 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar, ndërsa 9 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni;
Në Sarandë, Borsh, Jalë, Himarë, Radhimë, në gjirin e Vlorës dhe plazhin e vjetër Vlorë janë bllokuar 13 mjete lundruese gomone. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masat 100 000 lekë të rinj dhe 20 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar, për mungesë dokumentacioni dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 9 drejtues u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni, ndërsa drejtuesi tjetër u ndëshkua më 30 000 lekë të rinj, për tejkalim të kapacitetit të personave të lejuar në bord;
Në Radhimë, Dhërmi, në shpellën e Lukovës dhe në Vlorë u bllokuan 5 mjete lundruese skafe. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masën 100 000 lekë të rinj, për lundrim në zona të ndaluara, ndërsa 2 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan me 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni.
Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.