Pretendimi i pacipë i Fredi Belerit në një intervistë
Arrestimi dhe mbajtja në burg e Fredi Belerit mund të jetë vërtet padrejtësi, në kuptimin e mirëfilltë juridik të fjalës, por dhe ai vetë vijon të japë prova që s’është engjëll. E kundërta madje.
Së fundi, në një intervistë dhënë nga pas hekurave për Kathemerinin grek, ai pretendon se jo vetëm ka pakicë entike greke në Himarë, gjë të cilën s’e pranojnë si fakt as në Dropull e as në Finiq, kuptohet me gjysmë zëri, por se ka dhe persekutim apo tentativa goditjeje të minoritetit të pretenduar në Himarë.
“Mediat miqësore të regjimit yshtnin për raprezalje ndaj minoritetit grek”, thotë diku në intervistë njeriu që mban mbi shpatulla akuzën e rëndë të të qënit pjesë e komandos famëkeqe greke që shkaktoi masakrën e Peshkëpisë në prill të 1994-ës, me vrasjen e dy oficerëve e plagosjen e disa ushtarëve shqiptarë në repartin ushtarak të atyshëm në kufi me Greqinë, në zonën e Gjirokastrës. Për këtë akuzë, Beleri nuk ka shkuar kurrë para gjyqit.
Pos kësaj, kandidimin në Himarë ai nuk e ka patur me kauzë menaxheriale por nacionaliste, me tezën e helenizimit të Himarës. Si menaxher, ai nuk dihet ende se ç’aftësi të spitakura ka, pasi nuk dihet ende dhe se ç’profesion ka.
Nga ana tjetër, Beleri ende nuk ka dhënë ndonjë provë që është me “rrënjë e degë” grek etnik.
Nëse është kështu, le të publikojë një pemë gjeneaologjike të prejardhjes së tij greke, si dhe të tregojë me dokumenta se ku janë tokat e të parëve të tij në Himarë, meqë në intervistë ka cekur dhe pronat e pretenduara. Në akuzë ndaj qeverisë, ai thotë diku: “Bëhet fjalë për dëshmi rrëmbimi të pronave të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek dhe kalimi i tyre në duart e ‘investitorëve’”.(Tesheshi)