Projekti “Lungomare 2”, Leli: Ritëm i kënaqshëm punimesh
Projekti “Lungomare 2”, Kryebashkiaku Leli: Ritëm i kënaqshëm punimesh, për ta bërë sa më shpejt të prekshëm, këtë investim Pavarësisht situatës së pazakontë të krijuar nga përhapja e COVID-19, në Vlorë po vazhdojnë punimet për zbatimin e projekteve të financuara nga Qeveria Shqiptare, donatorë të ndryshëm dhe Bashkia dhe që po e transformojnë tërësisht këtë qytet, në funksion të turizmit.
Kryebashkiaku, Dritan Leli, inspektoi dhe ndoqi nga afër sot punimet për ndërtimin e “Lungomare 2”, në segmentin që shtrihet nga mjediset sportive të këtij objekti, që përfundoi dy vite më parë, deri tek Tuneli.
Zoti Leli, mjaft aktiv gjatë këtyre javëve, teksa menaxhon e drejton punën e strukturave që drejton, të përfshira në aksionet e dezifektimit dhe higjenizimit të mjediseve publike, apo ato humanitare të mbështetjes dhe ndihmës për kategoritë e njerëzve në nevojë, të moshuarit, pensionistët, familjet që po përballen me vështirësi, paralelisht ndjek në vijimësi investimet që po kryhen në territor.
Në kantierin e ndërtimit të “Lungomare 2”, ai bisedoi me specialistë, punonjës, inxhinierë e arkitektë të përfshirë në këtë projekt të rëndësishëm, jo vetëm për Vlorën, por edhe për të gjithë bregdetin shqiptar, veçanërisht të Jugut, duke rakorduar me ta ritmin dhe zbatimin e grafikut të punimeve.
Për kryebashkiakun vlonjat, në këto ditë është e nevojshme të krijohet një ritëm tjetër, një disiplinë e ndryshme, krahasuar me periudhat normale, të tregohet kujdes dhe vëmendje. Vetëm kështu do të mund të ruhet qetësia, optimizmi dhe synimi për të realizuar objektivat. Punohet sot, që gjithçka të jetë gati për nesër, atëhere kur Vlora dhe bregdeti i saj, do të jenë oazi për të shijuar pushimet.
Prandaj dhe, ai duke theksuar atmosferën e këtyre ditëve të jashtëzakonshme, evidentoi se, ritmi i punimeve dhe volumi i tyre gjithashtu, janë të kënaqshëm dhe garantojnë përfundimin e investimit në kohën dhe momentin e duhur.
“Pavarësisht kësaj situate, po punohet duke respektuar kufizimet orare, për të garantuar ecurinë e nevojshme dhe për ta bërë të prekshëm këtë projekt, për qytetarët vlonjatë, për të rinjtë, fëmijët, të moshuarit dhe për të gjithë ata vizitorë dhe turistë që presin rikthimin e normalitetit, për të ardhur në Vlorë dhe Jugun e vendit”, thotë Zoti Leli. Ai thekson se, kjo karantinë, masat e marra nga Qeveria Shqiptare për kufizimin e lëvizjeve që po respektohen nga qytetarët vlonjatë, përbëjnë një garanci për rikthimin e normalitetit dhe vijimin e jetës në të gjitha dimensionet e saj, ku sezoni turistik përbën një nga momentet më të rëndësishme.
Kryetari i Bashkis së Vlorës vuri në dukje se, në kantierin e këtij objekti, respektohen fashat orare të përcaktuara nga qeveria, ndërkohë që punonjësit, të pajisur me mjetet e nevojshme mbrojtëse, respektojnë gjithashtu distancat e duhura, si një mënyrë parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19.
“Grafiku ditor i punimeve është i kënaqshëm dhe garanton përfundimin në kohë dhe me parametrat e duhur të këtij investimi madhor, pritshmëritë e të cilit janë të mëdha për qytetarët vlonjatë, për të gjithë ata që zgjedhin Vlorën për të kaluar pushimet”, nënvizoi zoti Dritan Leli, duke u ndalur edhe në disa detaje të projektit, ku gërshetohen elementët infrastrukturorë me ata turistikë, ashtu si edhe me simbole të historisë shumëdekadëshe të Vlorës dhe të komunitetit të këtij qytetit.
Teksa fokusohet në njerin prej tyre, atë që qytetarët vlonjatë e njohin me emrin “Shkëmbi i Doktorit”, ai thekson se, zgjidhja e duhur arkitektonike, i jep një vlerë tjetër këtij simboli të memories qytetare dhe vetë këtij projekti që, dimensionet e traditës, i shndërron në mundësi për të tashmen.
Aktualisht, në këtë qytet po implementohen një sërë investimesh, ku përfshihen Restaurimi i Vlorës së Vjetër, rehabilitimi i fasadave përgjatë Bulevardit Vlorë-Skelë, ndërtimi i fazës së tretë të rrjetit të kanalizimeve, sistemim dhe asfaltim i hapësirës mes blloqeve të banimit në disa zona etj.