Derbi i shpirtrave të ndezur! Në qytetin që krenohet me Panajot Panon, rrëfimi emocionues i tifozit: Vijnë nga Greqia për të parë “Bistrica”-Butrinti
Nga Klaudio Ndreca
Sot gjithçka e ka një çmim, është një mision i pamundur që të gjesh një ndjenjë njerëzore e cila jepet ashtu e pastër dhe me shpirtin e ndezur, pa asnjë përfitim, fatura zakonisht është e lartë. Por, gjithmonë e ka një por në fakt, futbolli bën përjashtim dhe kjo është arsyeja se pse tërheq ende kaq shumë audiencë.
Tifozët i japin dashuri pa kushte klubit të tyre të zemrës, pak rëndësi ka sesa është pagesa e tyre mujore dhe problemet e ndryshme që i rëndojnë në kokë çdo ditë, stadiumi është vendi më i mirë për pak meditim, mendja largohet nga gjithçka tjetër.
E ku tjetër se në një ndeshje derbi ndodh e gjitha kjo. Sigurisht, nuk po flasim për Tirana-Partizani apo derbi të tjerë që gjithmonë kanë vëmendjen kryesore mediatike, por jemi duke folur për derbin e jugut, Delvina-Butrinti apo Bistrica-Butrinti, ashtu siç e quanin dikur Delvinën.
Shumë njerëz zgjedhin që të paragjykojnë në fillim që duke parë emrat e ekipeve të cilat enden shpesh në Kategorinë e Dytë. Nga krahu tjetër historia na tregon se këto stadiume kanë më shumë tifozë dhe spektatorë se ekipet e Superiores, futbolli “i shkollës së vjetër” përjetohet më tepër.
Është ai futbolli i terreneve jo të mira, i luftës së vërtetë sportive, i nderit të vërtetë të qytetit, i vendeve të vogla dhe pa shumë mundësi argëtimi po fundjava pritet me padurim për të shkuar në stadium, është futbolli i shpirtrave të ndezur.
Këtë herë “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të pasqyrojë sadopak nga mënyra sesi përjetohet Delvina-Butrinti. Për këtë arsye, kemi biseduar me një tifoz të Delvinës që jeton në Tiranë. Leonard Xhelili, i cili është menaxher në një prej lokaleve më të njohura të kryeqytetit, nuk e mendon dy herë për të lënë punën dhe për t’u kthyer në shtëpi që të ndjek derbin.
Kur njerëzit në vendin e tij e shohin, e dinë që nuk ka ardhur për të takuar familjarët, arsyeja e vërtetë gjendet në stadiumin “Panajot Pano”. Është ndoshta e vetmja ditë ku lokali për të është me qepena të mbyllura.
“E ndjek derbin Tirana-Partizani, i ndjek ndeshjet e Kombëtares, por nëse do më duhej të zgjidhja, jam për derbin e jugut, Delvina-Butrinti, si tifoz i Delvinës. Është një derbi i zjarrtë, që ka shumë tifozë dhe emocione. Nuk është dëgjuar shumë se kanë luajtur në Kategorinë e Dytë. Para disa vitesh në stadiumin e Sarandës kanë qenë gati 4200 tifozë që ishte rekord më vete për Kategorinë e Dytë. Në Delvinë kjo quhet ndeshja e vitit.
Ne organizohemi nga Tirana dhe shkojmë për të parë këtë ndeshje, e ndiejmë shumë. Kemi qenë prezent në çdo derbi. Tifozeria e Delvinës organizohet si në ndeshjet në transfertë dhe në ato brenda fushe. Ka shumë tifozë që vijnë edhe nga vende të tjera, jo vetëm nga Tirana, ka pasur raste që vinin edhe nga Greqia që ndodhen shumë emigrantë nga Delvina”, tha Xhelili.
Pavarësisht se ndodhen në Tiranë apo qytete të ndryshme në Shqipëri, gjithmonë organizohen për të shkuar në shtëpi dhe për të parë derbin. Madje situata arrin deri aty aq sa kur kthehen në qytet, të njohurit e zonës e dinë që këta njerëz nuk kanë ardhur për të takuar familjarët, por me siguri luhet Bistrica(Delvina)-Butrinti.
“Përshembull, ne jemi një grup prej 20 vitesh që kemi qenë tifozë që të vegjël dhe e ndiqnim ekipin tonë, por tani jemi në Tiranë. Ikim me makina për ta ndjekur këtë derbi dhe njerëzit që ne njohim kur na shohin në Delvinë e dinë se ne kemi shkuar për të parë ndeshjen, jo për të takuar familjarët. Është bukur pasi aty sheh edhe pensionistë, njerëz të moshuar që duan të jenë prezent.
Sigurisht që distanca është e madhe, të bësh 300 kilometra nuk janë pak, lodhja është e madhe. Ne e ndiejmë dhe është kënaqësi e madhe, kur brohorasim për Delvinën apo siç quhej dikur Bistrica, harrojmë çdo hall, çdo problem. Për dy orë asgjë tjetër nuk kalon në kokë. Nuk ka rëndësi nëse është shi, diell apo borë, të gjithë janë aty. Ka disa qytete në Shqipëri që nuk kanë shumë tifozeri, si ajo e Durrësit që u shpall edhe kampione. Imagjinoni, nëse do të luanim më lart në kategori do të kishte një “lumë tifozësh”, shprehet tifozi.
E teksa e pyesim për rezultatet sesi kanë dalë këto ekipe, me shumë krenari Xhelili na tregon se Butrinti nuk ka asnjë shans kundër tyre, megjithëse ka buxhet më të madh se Delvina. Madje menjëherë i shkon ndërmend ndeshja e 27 nëntorit e 2017, kur Delvina fitoi 2-0 me 9 lojtarë në fushë.
“Butrinti e ka pasur gjithmonë punën keq me ne, ne kemi fituar më shumë se ata. Në stadiumin e Sarandës kemi marrë rezultate shumë herë më të mira se ata në stadiumin tonë. Ka shumë vite që Butrinti nuk fiton në Delvinë. Ne jemi më të organizuar se kundërshtari, si në fushë dhe jashtë fushe, të gjithë e kanë parë se kush është tifozeria trojane.
Ka qenë data 27 nëntor të 2017, kur në fushën tonë fituam 2-0 ndaj Butrintit me 9 lojtarë. Ka qenë spektakël, shkallët e stadiumit ishin më të mbushura se kurrë më parë. Atëherë Butrinti dëshironte të shkonte në Kategorinë e Parë dhe ne fituam me 9 lojtarë, kanë pasur gjithmonë buxhet më të mirë se ne. E kemi ndaluar në shumë raste që të mos shkonin në Kategorinë e Parë. Qyteti ynë ka nxjerrë shumë figura të njohura si Panajot Pano, lojtarë si Stivian Janku, Xhorxhi Boci, kemi nxjerrë futbollistë”, përfundoi Xhelili.