Shpëtim Idrizi reagon ashpër për intervistën e Fredi Belerit: O palaço i Vangjel Dules, Himara është tokë shqiptare
Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka reaguar në lidhje me një intervistë të dhënë nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Bejleri, në një media greke.
Përmes një postimi në Facebook, Idrizi u shpreh se asnjë kandidat i ligjshëm nuk do të guxonte të përfshinte në platformën e tij elektorale helenizimin e Himarës.
Ai i ka bërë thirrje organeve shqiptare të drejtësisë që të nisin hetimin në lidhje me këto deklarata, pasi sipas tij, po shkelet integriteti territorial i vendit dhe Kushtetuta.
Reagimi i Idrizit:
Refuzova ta mendoja si të vërtetë fillimisht intervistën e Fredi Belerit për gazetën greke Proto Thema, sepse asnjë kandidat i ligjshëm nuk do guxonte të fliste e të shtronte si platformë të tijën helenizimin e Himarës…
Intervista vazhdonte kur flisnin për Vorio Epirin si një koncept natyral e askush nuk fliste për atë faqe turpi të Republikës së Zoografit e faktit që Vorio Epiri qëndron në themel të filozofisë genocidiale ndaj shqiptarëve, konceptit të megaloidesë.
Së pari, më duhet t’i them këtij palaços së Dules se Himara është tokë shqiptare, që në kohën e mbretit Zog.
Shqiperia i ka njohur zonat minoritare të përcaktuar në Finiq e Dropull dhe Himara as ka qene e as do jetë ndonjëherë zonë minoritare, sepses atje nuk ka asnjë kontiniutet me tokë me Greqinë.
Himara ështe dheu i burrave dhe grave shqiptarë që kanë ditur të ruajnë shqiptarinë si pakkush tjetër.
Së dyti, i kujtoj këtij individi të akuzuar për masakrën e Peshkëpisë të vitit 1995 dhe i dënuar me vendimin nr 224/24.9.2004 nga Gjykata e Vlorës dhe me nr 302/26.12.2006 për dhunim të simboleve kombëtare se tezat e helenizimit të Shqipërisë dhe ajo kriminale e Vorio Epirit do marrin përgjigjen e duhur nga himariotët më 14 maj.
Urgjentisht nxisim organet e drejtësisë të nisin hetimin për ide të tilla që cënojne integritetin territorial, Kushtetutën, tentojne tjetërsimit historik e kulturor të jugut të vendit tonë.
Fredis Beleris…. Akoma nuk e kuptojmë se si ka ende parti politike shqiptare që guxojnë të kandidojnë individë të tillë me të shkuar kriminale, por dimë që përballë ke gjithë ato burra dhe gra për të cilët Atdheu dhe Kombi është amaneti që i la Zoti kur i solli në tokë.
E më së fundi një thirrje vëllazërore….
Ti japim përgjigjen e merituar këtij andarti të kohëve moderne e ti vëmë fre çdo ideje të rrezikshme shoviniste të atyre që e kanë ende në duar gjakun e martirëve të Ҫamërisë.