Kandidati për kryebashkiak, Oltion Caci, në podkast me Ramën: Saranda, porta e turizmit
Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Sarandë, Oltion Caci ishte i ftuari e radhës në episodin e pestë të podkastit “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë prezantimit të kandidatit të Sarandës, Rama tha se është një personazh që pakkush ia ka dëgjuar emrin ndonjëherë, por që shumëkush do t’ia mësojë në vitet që kemi përpara.
Kryeministri shprehu bindjen se “për 4 vjet ne do t’i japim bashkë Sarandës një fuqi të re, sikur e shoh këtë gjë”.
“Jam i bindur se nuk do të lë çdo mëngjes e çdo darkë pa të kujtuar Sarandën e Ksamilin sepse është realisht porta e turizmit, ajo që e hap dhe ajo që e mbyll, është fat për turizmin shqiptar”, tha Caci.
Rama kërkoi nga kandidati i Sarandës që prej mëngjesit e deri në darkë të rri sa më shumë pa gjumë për të punuar për qytetin.
Duke folur për vizionin e tij për zhvillimin e turizmit në Sarandë, Caci tha se “nuk është i majftueshëm vetëm sezoni, por duhet gjetur mënyra për t’i dhënë jetë qytetit edhe në dimër”.
“Kjo është e prekshme për këtë qytet, thjesht ka nevojë për pak vullnet. Jam i bindur se bashkë me bizneset do ta kthejmë jetën në Sarandë edhe në dimër”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se duhet cilësi për ta risjellë atë turist që vjen njëherë dhe për ta bërë atë që vjen dy herë ambasadorin tënd. Në këtë pikë, Rama vërejti se shërbimet në përgjithësi lënë shumë për të dëshiruar.
Caci theksoi se ndaj është i rëndësishëm zgjerimi i sezonit turistik, sepse kjo ngre cilësinë e turizmit që ne duam të arrijmë.
“Gjërat janë të lidhura. Saranda nuk është destinacion masiv, është destinacion cilësor. Nëse nuk e kuptojmë kemi qasjen e gabuar. Rëndësi ka ku do të shkojë Saranda pas 10-15 vitesh. Saranda duhet të shkojë në atë drejtim që të ketë turizëm 12 muaj, ndryshe të gjitha hallkat do të kenë probleme”, tha ai.
Në këtë drejtim, Rama bëri të ditur se “ne do të bëjmë një marrëveshje shumë të rëndësishme me shkollën më të mirë të turizmit në Europë, atë të Zvicrës, e cila do të marrë përsipër shkollën tonë të Hoteleri-Turizmit në Tiranë dhe do të trajnojë kuadrot e të gjitha niveleve”.
“Këtu në Sarandë ne kemi një super vend që unë dua t’i kaloj qytetit, vilën qeveritare. Ka filluar investimi. Aty do të fokusohemi jo vetëm te shërbimi por edhe te argëtimi, spektakli, përfshirja e gjithë kategorive të e domosdoshme për të zgjatur sezonin. Por nevojitet po ashtu edhe lidhja e bregut me pjesën e e brendshme”, tha Rama.